Të pandehur e dëshmitarë, zyrtarët e qeverisë “Kurti” që u intervistuan deri tash nga Prokuroria Speciale
Foto: Laura Hasani

Të pandehur e dëshmitarë, zyrtarët e qeverisë “Kurti” që u intervistuan deri tash nga Prokuroria Speciale

Aktuale November 12, 2024 - 15:17

Një tjetër ministre e qeverisë “Kurti” është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale.

Artane Rizvanolli ka dhënë dëshminë e saj sot për një rast që kjo prokurori e ka nën hetim.

Para saj, janë intervistuar edhe ministrja Rozeta Hajdari në cilësinë e të dyshuarës, zëvendësministri Hysen Durmishi po ashtu si i dyshuar, koordinatorja e Komiteteve në LVV, Dejona Mihali, në cilësinë e dëshmitares, derisa për ministrin Liburn Aliu është raportuar para tri javësh se është nën hetime nga kjo prokurori.

Zyrtarëve të qeverisë “Kurti” u ka rënë goxha shpesh muajve të fundit që të lajmërohen në Prokurorinë Speciale. Disa në cilësinë e të dyshuarve e disa si dëshmitarë.

Sot në objektin e kësaj prokurorie është paraqitur për intervistim ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Prokuroria Speciale ka bërë me dije se Rizvanolli po intervistohet në cilësinë e dëshmitares për një çështje që kjo prokurori e ka nën hetim, pa ndarë detaje më tej.

“Ju informoj se sot, ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, deklaroi për Express zëdhënësja e prokurorisë, Liridona Kozmaqi.

Sipas raportimeve në media, intervistimi i saj lidhet me rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ftesë për intervistim nga Prokuroria Speciale kishte marrë edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mirëpo ajo në cilësinë e të pandehurës.

Hajdari dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.

Ajo e kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

“Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, thuhej në njoftimin që kishte lëshuar Prokuroria më 15 prill të këtij viti.

Pas intervistimit, Hajdari kishte folur para gazetarëve.

“Nuk kam qenë e intervistuar, bëhet fjale për rezervat shtetërore. Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet”, kishte deklaruar ministrja Hajdari.

Rreth tri javë pas Hajdarit në Prokurorinë Speciale ishte paraqitur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Edhe ai ishte intervistuar në cilësinë e të pandehurit, lidhur me kontratat për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Pas përfundimit të intervistimit, Durmishi u kishte thënë gazetarëve se ka sqaruar para prokurorit “pastërtinë e plotë” në këtë proces.

“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë. Kryesisht, kjo fazë është fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet të cilat i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje punimet po zhvillohen me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në një far mënyre sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, kishte thënë zëvendësministri Durmishi.

Në mbrojtje atij i kishte dalë edhe ministri Liburn Aliu.

“Është intervistu në cilësinë e të dyshuarit dhe është intervistu si rezultat i një kallëzimi penal nga ana e një operatori ekonomik lidhur me kontratën (për rrugën) Prishtinë – Podujevë. Unë konsideroj që zotëri Durmishi në këtë pikë ashtu siç është deklaru, është i pastër, veprimi i tij pra kur e dëshmon edhe vlerësimi të themi nga OSHP-ja”, kishte thënë Aliu.

Për këtë të fundit, para tri javësh është raportuar se po hetohet nga Prokuroria Speciale. Për nisjen e hetimeve ndaj Aliut, nuk ka ende ndonjë konfirmim zyrtar.

Sipas raportimeve të mediave, ai po hetohet për rastin e zbritjes së borxheve ndaj kompanive që merren me ambalazhimin e ujit, rast për të cilin janë arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë që ai udhëheq.

Njoftim për këtë ka thënë se s’ka as vetë ministri Aliu, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë për çdo hetim apo dyshim.

“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam pasur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”, ka shkruar Aliu në llogarinë e tij në Facebook.

Prokuroria ka ftuar për intervistim edhe një zyrtare të lartë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Koordinatorja e Komiteteve në LVV, Dejona Mihali, është intervistuar para gati dy muajsh në cilësinë e dëshmitares.

Prokuroria s’kishte treguar se për cilin rast, por mediat kishin raportuar se bëhej fjalë për disa mesazhe që ishin gjetur në telefonin e ish-kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqit.

Këto mesazhe ishin publikuar në media disa ditë më pas, ku shihej se Mihali vendoste edhe se kur duhej të ketë reduktime.

“Thirre Ergysin… Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime fare”, është një prej bisedave.

Pas intervistimit, Mihali kishte thënë se ishte intervistuar “për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e së vërtetës”.