Në mungesë të kuadrove, mësuesit e gjuhës angleze japin edhe gjermanisht

Në mungesë të kuadrove, mësuesit e gjuhës angleze japin edhe gjermanisht

Aktuale November 12, 2024 - 08:40

Ka javë që nxënësit e shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë disa orë mësimore po i ndjekin me mësues jo të lëndës.

Kjo për shkak të mungesës së kuadrove të gjuhës gjermane.

E derisa procesi arsimor po vazhdon me zëvendësime, kërkesat për mësues të gjuhës gjermane janë të vazhdueshme nga drejtoria e arsimit në këtë komunë.

“Është hera e tretë që ne shpallim konkurs për gjuhën gjermane dhe nuk kemi fare person adekuat. Mësueset të cilat i kemi më herët të rekrutuara në gjuhë angleze, i zëvendësojnë, por deri në cilin moment kanë me pasë mundësi me i zëvendësu ato orë, tash mbetet tek e fundit në bashkëpunim mes mësimdhënësit dhe menaxhmentit”, thotë Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë.

Por edhe për orët shtesë Komuna has në vështirësi.

“Duke pasë parasysh se ne kemi shumë mësimdhënës jashtë listës së pagave, kjo e vërteton se orët që i angazhojmë shtesë mësimdhënësit, ne nuk mundemi me ua pagu, duke e pasë parasysh mungesën e buxhetit në nivel të komunës së Fushë Kosovës”, shprehet Berisha për Teve1.

Por nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se organizimi i procesit mësimor është në kompetencë të komunave, duke përfshirë edhe rekrutimin dhe zëvendësimin e stafit.

Megjithatë ekspertët kanë një kërkesë për këtë institucion.

“Kur ka nevojë për këto zëvendësime të ketë fondin ose planin B që të ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë, për shkak se edhe për këtë po hezitojnë mësimdhënësit me shku me zëvendësu, se paguhet pas një viti, kështu që çfarë motivi do të kenë ata pastaj”, thotë Ismet Potera, ekspert i arsimit.

Në komunën e Fushë-Kosovës janë dhjetëra mësimdhënës që janë jashtë listës së pagave.