“Ushtarë e policë ditën, taksistë e sigurima natën”
Të shtunën një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës humbi jetën tragjikisht pasi ra nga kati i 10-të i një ndërtese ku po punonte në punën e tij sekondare. Për këtë, opozita po e fajëson Qeverinë, ndërsa shton se ushtarët dhe policët, për shkak të pagave të ulëta, po vazhdojnë të shihen në punë të cilat e ulin dinjitetin e tyre.
Opozita ka akuzuar Qeverinë për gjendjen e ushtarëve dhe policëve.
Ata po thonë se për shkak të pagave të ulëta ata po detyrohen të punojnë edhe punë dytësore.
Anëtari i komisionit për çështje të sigurisë, Hisen Berisha, thotë se ish-ushtari i njësitit special të UÇK-së “Tigrat e Zi”, u detyrua të punojë në vazhdimësi një punë të dytë.
Kjo për shkak të kushteve financiare.
“Për shkak të kushteve e shërbimeve, me theks pagës, është detyruar në vazhdimësi të punojë jashtë orarit, edhe pse duhet të ketë leje speciale edhe për të, për të siguruar mjete të mjaftueshme për ta mbajtur familjen dhe këtu qëndron e gjithë esenca e kësaj tragjedie, por edhe përgjegjësia e kësaj qeverie që ka detyruar sot pjesëtarët e forcës më i pa para kazinove, para diskoteka, duke shpërndarë pica e duke punuar taksi”, ka thënë Berisha.
Me këto veprime Berisha thotë se po preket dinjiteti i ushtarit.
“Këta djem kur t’i i detyron nga ky betim, nga ky vullnet që të jenë ushtarë profesionist të atdheut të vet, më përfundu në dyert e kazinove, ku i trajtojnë keq dhe i poshtërojnë punëdhënësit e ndryshëm. Imagjoni një ushtar duke dërguar pica diku, t’i vije mesazhi që vendi është nën alarm dhe duhet të mobilizohet menjëherë”, shprehet ai.
E ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se raste të ngjashme ka edhe në radhët e policisë.
“Nuk ka më keq, se kur uniforma e këtij vendi, pra kur polici, respektivisht ushtari i këtij vendi, detyrohet të bëj edhe një punë tjetër, vetëm për shkak të kushteve financiare. Ne jemi njerëz dhe secili ka nevojë që të bëj sa më mirë, mirëpo konsideroj që për policët dhe ushtarët, ish dashtë që paga të jetë në atë formë që të mos kenë të nevojë të punojnë punë të tjera”, shprehet Qalaj.
Lajmi për rastin tragjik të “Kabas” së UÇK-së i preku edhe ata që e njohën në frontet e luftës.
“Kur flitet për kontributin e tij, aty nuk ka vend për dyshime, apo mëdyshje, i ka takuar një njësitit që ka qenë shumë aktiv gjatë luftës por edhe ky si individ ka kontribuuar dukshëm në zhvillimin e luftimeve në regjionin e Drenicës ku edhe vet kam vepruar”, tha Hysen Gecaj.
Se si është e rregulluar çështja e punës sekondare brenda FSK-së për ushtarët aktiv, ata rezervë dhe personelin civil, Tëvë1 ka pyetur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Por këta të fundit të hënën nuk ka në kthyer përgjigje.
Të shtunën një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, humbi jetën tragjikisht, pasi ra nga kati i 10-të i një ndërtese ku po punonte në punën e tij sekondare.