Gërvalla-opozitës: Në fushatë shihemi në janar, por atëherë do të përdorim tjetër gjuhë
Foto: Laura Hasani

Gërvalla-opozitës: Në fushatë shihemi në janar, por atëherë do të përdorim tjetër gjuhë

Aktuale November 11, 2024 - 18:02

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar partitë opozitare se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet nuk kanë takuar mërgatën shqiptare, derisa tash kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për tubimet me diasporën.

Sipas saj, ish-pushtetet e kaluara i kanë mbushur ambasadat me jarana, vëllezër dhe motra, të cilët kanë qëndruar vetëm me njerëz që kanë bërë biznese, duke anashkaluar diasporën.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të partive në opozitë se po shfrytëzojnë ambasadat për fushatë elektorale, Gërvalla tha se tubimet me mërgatën s’ka pasur asgjë në përmbajtje me fushatën zgjedhore.

Ajo gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektligji për buxhetin e vitit 2025, i tha opozitës se në fushatë do të shihen në janar, mirëpo sipas saj, atëherë do të ketë fjalë të tjera.

“Veç po mos bërtisni, qetësohuni pak se nuk është mirë për shëndet. Unë iu kuptoj juve, iu kuptoj se ju njoh shumë mirë jo vetëm këtu në Kuvend, por edhe si pjesë e qindra mijëra shqiptarëve jashtë vendit. Kur keni ardhur në ambasada që i keni mush me jarana, me vllazën, motra të juaj, keni ardhur e keni nejt veç me njerëz që keni bërë biznese, keni paguar 500 mijë euro për libra e sene. Nuk keni marrë guximin me ardh me u taku me neve, që keni qenë pjesë e komunitetit atje. Fort mirë e kuptoj që juve çuditeni siç mundet kryeministri me ardh vullnetarisht e me taku mërgatën. Qysh nuk frikësohet me taku mërgatën, vjen dhe flet me ta, iu përgjigjet pyetjeve, dëgjon kritikat, dhe mundohet. Ju para se me fol, është mirë me dëgju, janë LIVE tubimet që kemi mbajtur. S’ka as në ton dhe as në përmbajtje ndonjë gjë të fushatës. Fushata vjen në janar. Po jo vetëm në Kosovë edhe në diasporë do të shihemi në fushatë. Mirëpo, atëherë do t’i kemi do fjalë të tjera në fushatë”, theksoi ajo.

Krahas kësaj, duke përmendur buxhetin e ministrisë, ajo tha se më nuk paguajnë bileta luksi për zyrtarë apo përfaqësues qeveritar.

“Një arritje kjo që dëshmon përkushtimin tonë përkushtimin tonë ndaj një menaxhimi të përgjegjshëm dhe efektiv të fondeve publike. Nuk paguajmë më bileta luksi për zyrtarë apo për përfaqësues qeveritar dhe kemi rregulluar bazën ligjore për shpenzimet e qirave të diplomatëve”, tha ajo.

Mirëpo, kryediplomatës kosovare i reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se diplomacia kosovare ka dështuar në fuqizimin ndërkombëtarë të Kosovës, njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“U tha se nuk ka bileta luksi me qeverinë tuaj. Më lejoni t’iu rikonformoj se janë nëntë udhëtime të largëta që ju bashkë me Lizën shkoni të dyja bashkë dhe jeni në evente të njëjta, pa asnjë rezultat, asnjë njohje, as një anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo çka ishte në Këshill të Evropë”, tha ajo.