Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit: Së pari ajo e Brukselit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron që Marrëveshja e Brukselit, e arritur vitin e kaluar me Serbinë, të zbatohet fillimisht, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.
I pyetur nëse është e pranueshme për të tani Marrëveshja e Uashingtonit – e arritur më 2020 në Shtëpinë e Bardhë –nëse administrata e re amerikane e Donald Trumpit, insiston në zbatimin e saj, Kurti tha se pret që marrëveshja tjetër, ajo e Brukselit, të nënshkruhet.
“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Ndërkaq, Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik u arrit në shtator të vitit 2020 mes SHBA-së dhe Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Kurti tha se do të ketë bashkëpunim dhe komunikim me administratën e re të Trumpit.
"Trumpi, në një letër dërguar një pararendësi tonë, po ashtu e ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe ne dëshirojmë, jemi të gatshëm që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim, e pse jo edhe ta zgjerojmë e thellojmë këtë bashkëpunim, i cili shprehet jo vetëm në aspektin diplomatik. Por, sidoqoftë aspekti diplomatik është nga ndër më kryesorët", tha Kurti.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit (2017-2020), Kurti kishte pasur përplasje me të dërguarin e atëhershëm të SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Richard Grenell.
Grenelli, bashkëpunëtor i ngushtë i Trumpit, e kishte cilësuar Kurtin "antiamerikan" dhe e kishte akuzuar atë se kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët, Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.
Ndërkaq, Kurti kishte pretenduar se emisari amerikan kishte gisht në rrëzimin e Qeverisë së tij të parë, në marsin e vitit 2020. /REL