Kurti: Ruajtja e dokumenteve të krimeve gjatë luftës, vendimtare për historinë
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës.
E në adresimin për media, Kurti thotë se këto krime dhe ruajtja e tyre, që është vendimtare për historinë, ka tashmë një adresë në Kosovë.
“Me këtë rast pashë se si po ruhen materialet, e nëse do të thuhej se sa ka material, do të ishte 189 metra gjatësi në këmbë me foldera, apo thënë ndryshe një 15.8 terabajt informacion është grumbulluar gjatë 9 muajve videoxhirime, fotografi, audioxhirime e tekste të ndryshme. Janë gjithsej 67 burime prej ku janë marrë këto dokumentacione. Është punë jetike dhe vendimtare si për histori, ashtu edhe për drejtësi për neve”, tha Kurti.
“Ne e kuptojmë të vërtetën historie përmes këtyre dokumente e në anën tjetër edhe ky paraqet një vend adresë shumë të rëndësishëm për drejtësi vendore dhe që viktimat të rehabilitohen sepse drejtësia e munguar është padrejtësi e vazhduar. Qytetarët që kanë dokumentacione për krimet e kryera gjatë luftës kanë një adresë”.
Për këto krime Kurti thotë se shteti armiqësor i Kosovës (Serbia) nuk i pranon, por i quan të fabrikuara.
“Kemi edhe një shtet që nuk i pranon këto krime, e në fakt i quan të fabrikuara, pra ky është shteti fqinj verior armiqësor”.