Kajtazi: Ekipi i Forenzikës s’ka arritur ta hapë pajisjen që më është gjetur në makinë
Gazetari Vehbi Kajtazi ka dalë me disa informacione të fundit rreth një pajisjeje që iu gjet javën e kaluar e vendosur në makinë.
Sipas njoftimeve më parë, ajo ishte pajisje që përgjon vendndodhjen e një personi.
Kajtazi thotë se sot është njoftuar se ekipi i Forenzikës e ka dorëzuar raportin për këtë pajisje në Policinë e Kosovës.
Thotë se ata nuk kanë arritur ta hapin pajisjen për të parë në hollësi se çka ka brenda saj.
Njoftimi i plotë i Kajtazit, pa ndërhyrje:
Të nderuar miq,
Ekipi i Forenzikës i Policisë së Kosovës sot ka dorëzuar raport në Prokurori të Shtetit për pajisjen e përgjimit të vendosur në veturën time.
Raporti i ekspertizës konstaton se ekspertët tanë nuk kanë mundur ta hapin atë pajisje. Ata sugjerojnë që pajisja të dërgohet jashtë vendit.
Pres që Prokuroria ta kryejë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Nuk do të dorëzohem derisa të zbulohet se kush më ka përgjuar dhe persekutuar tash e sa kohë.