Debat i ashpër për buxhetin, opozita përplaset me ministrin Murati
Foto: Laura Hasani

Debat i ashpër për buxhetin, opozita përplaset me ministrin Murati

Aktuale November 11, 2024 - 13:06

Debati për buxhetin e vitit të ardhshëm është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e opozitës janë përplasur me ministrin e Financave Hekuran Muratin, pasi ky i fundit akuzoi opozitën se po i pengon proceset.

“Ju po qitni zall në rrota, po pengoni”, i tha Murati opozitës.

Deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku gjatë replikës ndaj ministrit Murati tha se është zhgënjyese se si po mundohen t’i arsyetojnë dështimet e tyre.

“Çdo ekspert i ekonomisë e sheh këtë debat dhe i përqesh arsyetimet tuaja. Më e rëndësishme për çdo qytetar është sesi implementohet ky buxhet, të cilët i vuajnë pasojat e mosimpelmentimit të buxhetit”, tha Lushtaku.

Ai shtoi se kemi tre të rinj që kanë vdekur për shkak të mosimplementimit të projekteve kapitale, mos sinjalizimit të rrugës që ka punime në Badoc.

“Duhet të ju vijë marre. Keni premtuar që do t’i ulni çmimet për produktet elementare, janë rrit çmimet”, tha Lushtaku.

Replikë pati edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Hoti tha se Murati debaton me fanatizëm, nuk është i interesuar për të dalë tek e vërteta.

Image

“Vazhdon me atë propagandën e poshtër të ulët. Me sa fytyrë del në foltore dhe ju thua që u shkatërrua Kosova qe 20 vjet. Me 13 mijë njerëz të vrarë, e njerëz pa gjymtyrë, me shkolla të shkatërruara ti thu që është shkatërrua Kosova qe 20 vjet”, tha Hoti.

Ai shtoi sesi mundeni mi quajt të gjitha bizneset që kanë bërë kontrabandë në të kaluarën.

“Pse nuk e keni ndërtuar Aeroportin e Gjakovës, pse nuk i ndërtuat 160 çerdhe”, tha Hoti.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka replikuar ndaj deklaratave të ministrit, Hekuran Murati.

“Folët për rritjen e të hyrave në buxhet, kjo ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve . Çmimi i miellit në 2021 ka qenë 0.51, në 2022 është bërë 0.66, sot është mbi 70. Buka ka qenë 0.36 e tash është 50. Qumështi ka qenë 0.86 tash është mbi 1 euro”, tha Tahiri.

Image

Ai përmendi edhe çështjen e shtesave dhe pensioneve.

“Çështja e dytë, pajtohem plotësisht me ministrin Murati që thotë se kanë efekt shtesat në popull, por pse është dashtë familja ime me mi marr 800 euro nga shtesat dhe pensionet, ku ka barazi këtu. I keni shpërnda paratë për efekte elektorale”, tha Tahiri.

Tahiri iu drejtuar Muratit se “duheni me njoft vlerën e qeverive të kaluara, Qeveria Haradinaj e ka bërë ushtrinë ju e keni lënë pa bukë”.

Muratit iu kundërpërgjigj edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila tha se ministri tha shumë të pavërteta.

Image

“Qysh bre ministër thu përjashtoni autostradën, pse a e ka marrë qeveria me veti në shpi autostradën. A nuk bien nëpër autostradë kur shkon për Shkup e Shqipëri. A e din ku ke ngel te ura e Badovcit 34 metra”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se Murati inflacionin e kësaj qeverie po e shet si luftë të kontrabandës.

“22% ju kanë rrit çmimet qytetarëve. Ke ardh në pushtet duke premtuar se do ti lirosh faturat e energjisë eklektike, tarifën e ultë e ke rrit prej 3 centëve në 7 cent, e të lartën prej 7 në 14 cent. Keni dështuar, nuk mundesh me shit propagandë”, tha Bajrami.

Image

E ndaj gjithë këtyre akuzave u përgjigj sërish ministri i Financave, Hekuran Murati, transmeton Telegrafi.

Replikën e tij e nisi me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku ku tha se: “në kohën kur ju keni qenë në qeveri bashkë me LDK-në, po i marr top pesë shtetet për nga ka importu Kosova. I pari ka qenë Serbia 450 milionë euro, Gjermania 378 milionë euro, Turqia me 292 milionë euro, Kina me 275 milionë dhe Italia me 194 milionë euro. Top pesëshja e shteteve nga ka importuar Kosova vitin e kaluar. Në vendin e parë Turqia, Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria. As në top pesëshe nuk e keni Serbinë”.

Image

Murati iu përgjigj edhe deputetit të LDK-së Avdullah Hoti, duke thënë se deputeti u mundua me disa argumente të rrejshme të vendosë fjalë që nuk i thashë.

“Nuk thash që u shkatërruar Kosova, thashë janë shkatërruar fabrikat. Nuk thash që kanë bë kontrabandë gjitha bizneset, përkundër dëmit u është bërë të gjitha bizneseve sepse disa biznese të lidhura me juve kanë bërë kontrabandë”, tha Murati.

Sa u përket kritikave nga Besnik Tahiri i AAK-së, Murati tha se të hyrat janë rrit 100%.

“Tek shtesat më vjen mirë që politikat tona ndihmojnë edhe deputet, nëse mendoni se nuk keni nevojë mjafton të mos i merrni. Me zor nuk ja japim”, tha Murati.