Hoti thotë se te buxheti janë dy shkelje ligjore - te tatimi në pronë dhe Ligji i pagave
Foto: Laura Hasani

Hoti thotë se te buxheti janë dy shkelje ligjore - te tatimi në pronë dhe Ligji i pagave

Aktuale November 11, 2024 - 11:52

Në seancën e Kuvendit, ku po debatohet projektbuxheti për vitin 2025, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se ky është një buxhet i përkohshëm, i cili sipas tij nuk do të zgjasë, pasi do të vijë qeveria e re.

Ai ka thënë se asnjë projekt i premtuar nga Qeveria, si në sektorin e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, në infrastrukturë, nuk janë realizuar nga Qeveria.

Ai ka thënë se buxheti në fjalë ka dy shkelje ligjore, te tatimi në pronë dhe Ligji i pagave.

“Buxheti gjatë këtij mandati për Qeverinë ka qenë 11.4 miliardë euro, buxheti 4-vjeçar. Ndikimi në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero. Edhe ato investime kapitale që janë premtuar nuk janë realizuar. Në këtë qeveri norma e realizmit të projekteve kapitale është 40 për qind. Mungesë total të dialogut social. Është përkeqësuar ambienti i të bërit biznes në Kosovë. Kosova është duke pësuar kolapsin demografik që e kemi paralajmëruara. Sot kemi 4900 biznese më pak, biznese aktive. Deficiti i tregut gjatë këtyre katër viteve është thelluar 2 miliardë euro shtesë, tregon mungesën e prodhimit vendor. Është e logjikshëm që standardi i jetës në Kosovë është përkeqësuar. Ky buxhet ka së paku dy shkelje ligjore, te tatimi në pronë dhe Ligji i pagave”, ka thënë ai.