Arben Taravari rizgjedhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Arben Taravari rizgjedhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Aktuale November 10, 2024 - 19:34

Arben Taravari u rizgjodh kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Kongresin e Jashtëzanshëm të kësaj partie që sot u mbajt në Tetovë.

Në fjalimin para delegatëve, Taravari u tha atyre se të gjithë së bashku, në zgjedhjet parlamentare kanë arritur  të rrëzojnë regjimin dhe të sjellin ndryshimin.

"Të gjithë së bashku kështu dhe me plot shokë të tjerë, ne më 8 maj e sollëm ndryshimin që pritej prej shqiptarëve 22 vite. Sa më e fuqishme Aleanca për Shqiptarët aq më i fuqishëm VLEN-i. Insistoj tek të gjithë ju që të jeni më fleksibil, sa më bashkëpunues me partitë që e përbëjnë VLEN-in", tha Taravari, i cili në qeverinë e Maqedonisë së Veriut është ministër i Shëndetësisë.

Pas vendimit të Taravarit për të garuar në zgjedhjet e fundit me koalicionin VLEN, krahu politik i Ziadin Selës vendosi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të garojë në koalicion me Frontin Evropian.

Ndërkohë është duke vazhduar procesi gjyqësor në Gjykatën e Tetovës nëse vulat e partisë do t’i takojnë Taravarit apo Selës.

Rreth kongresit të sotëm, krahu politik i Ziadin Selës përmes një reagimi me shkrim ka thënë se"Aleanca për Shqiptarët ju takon anëtarëve të denjë, shumicës prej dy të tretave të delegatëve që në Kongresin e fundit zgjodhën kryetar Ziadin Selën, si dhe kryesisë legjitime ku bëjnë pjesë shumica dërmuese e themeluesve dhe njerëzve që e ngritën subjektin”.