Nis rikonstruksioni i Xhamisë së Plumbit në Vlorë
Ka nisur puna për rikonstruksionin total të Xhamisë së Plumbit në Vlorë. Teksa inspektoi punimet, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, tha se fondi do të akordohet nga buxheti i vitit 2025.
Xhamia e Plumbit në Vlorë po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, edhe për shkak të dëmeve që shkaktoi në objektin e kultit përmbytja masive e 4 tetorit.
Teksa inspektoi nga afër punën, Ministri i Kulturës tha se për rikonstruksionin e xhamisë do të akordohet fondi i nevojshëm nga buxheti i vitit 2025.
Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku, ka konfirmuar se veç Ministrisë së Kulturës, xhamia është inspektuar edhe nga një grup ekspertësh nga Turqia.
Xhamia e Plumbit është një objekt i rëndësishëm në Vlorë, i ndërtuar në vitet 1537-1542, ndërsa ka qenë edhe një nga vendet më të vizituara në Vlorë. Rikonstruksioni parashikohet të zgjasë për një periudhë 1 ose 2 vjeçare, duke ruajtur historinë dhe origjinalitetin e objektit. /euronews