Haradinaj prezanton kandidatët në Rahovec
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe E-30, Ramush Haradinaj, ka takuar strukturat e degës së partisë në Rahovec, me ç’rast ka bërë prezantimin e kandidatëve për deputetë nga kjo komunë.
Haradinaj, ka thënë se kryeministri Kurti e ka futur Kosovën në rrethim kur për të dalë nga aty na duhet shumë punë.
“Jemi në Rahovec për të vendosur për katër vitet e ardhshme, për të ardhmen tonë të përbashkët. Ju kemi folur qysh moti për Kurtin, ju kemi thënë se ai është gabim dhe ashtu doli. Është goxha vështirë me nxjerrë Kosovën nga aty ku e ka futur Kurti. Është numër i madh i marrëveshjeve, kemi sanksione, pra Kosovën e ka futur në rrethim”, ka thënë Haradinaj, njofton zyra për informim e kësaj partie.
Haradinaj ka ripërsëritur rëndësinë e anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO.
“Anëtarësimi i Kosovës direkt në NATO, ndodh vetëm me Amerikën përmes Planit Aksional të Anëtarësimit. Unë jam futur në garë për ta bërë Kosovën anëtare të NATO-së, sepse kjo garanton siguri për të ardhmen dhe zhvillim ekonomik”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, e rëndësishme është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar, ndërsa njohja nga Serbia le të ndodh kur ajo është e gatshme ta bëj.
“Ne duhet t’i themi se Serbia kurdo që është gati me na njohtë, le ta bëj. Ne duhet t’i themi botës nuk po e ngushtojmë Serbinë, kurdo që ajo është gati me njoftë Kosovën, le ta bëj, ne kemi vendosur me ecë para në koordinim me Amerikën. Ne mundemi me marrë hua me miliarda për zhvillimin e vendit në mënyrë që mos me leju me na ikë rinia, po ashtu edhe me siguru të ardhmen duke qenë anëtare e NATO-së”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se lista e AAK-së i ka njerëzit më të mirë dhe më të zotë.
“Deputetët e kësaj legjislature nga Aleanca, kanë qenë vërtetë në krye të detyrës, kanë zenë të zëshëm dhe kanë trajtuar tema të rëndësishme dhe në interes të qytetarëve. Në listën tonë të kandidatëve për deputetë, gjeni njerëzit më të mirë, më profesionistë, atdhetarë e të dëshmuar në etapa të ndryshme”, ka thënë Haradinaj.