Sekretari i ri i RCC, boshnjaku Kapetanoviq: Kosova na dha një mësim të mirë

Sekretari i ri i RCC, boshnjaku Kapetanoviq: Kosova na dha një mësim të mirë

Aktuale November 08, 2024 - 20:03

Diplomati boshnjak, Amer Kapetanoviq, në intervistën e tij të parë prej që është zgjedhur sekretar i ri i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, pozitë që do ta ushtroj nga fillimi i vitit 2025, ka folur edhe për Kosovën.

Ai ka thënë se në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, Kosova i ka dhënë një mësim të mirë publik Bosnjës.

Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës në mënyrë të njëanshme do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Në Procesin e Berlinit, Kosova na dha një mësim të mirë publikisht, duke vendosur që në mënyrë të njëanshme të zbatoj marrëveshjen për lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës”, tha Kapetanoviq. Kjo është një marrëveshje rajonale të cilën Bosnja nuk e ka ratifikuar ende në Kuvendin e saj.

Më tej, Kapetanoviq tha se RCC është një nga organizatat kyçe rajonale që, sipas statutit të tij, merret me promovimin e integrimit euroatlantik.

“Qëllimi është që rajoni të bëhet pjesë integrale sa më shpejt që të jetë e mundur ose të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur në tregun e vetëm ekonomik të BE-së. Dhe si të tillë, ne jemi gjithashtu shumë aktivë në atë që quhet Procesi i Berlinit, ku, veçanërisht nga viti 2021, po zbatojmë diçka që quhet krijimi i një tregu të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Kapetanoviq tha se dy do të jenë agjendat e tij kryesore gjatë mandatit të tij: Kriijmi i Tregut të Përbashkët Rajonal dhe strategjia 2020-2030.