KEK: Jemi gati për sezonin dimëror, në operim me katër njësi

KEK: Jemi gati për sezonin dimëror, në operim me katër njësi

Aktuale November 08, 2024 - 14:35

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht janë në operim dy njësi të termocentralit “Kosova A” dhe dy njësi të termocentralit “Kosova B”.

Po ashtu KEK-u thotë se ka përfunduar me sukses revizionet dhe riparimet e nevojshme për njësitë prodhuese të planifikuara për vitin 2024.

Këto aktivitete kanë kontribuuar në përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të operimeve në të gjitha njësitë prodhuese të KEK-ut, duke siguruar që kapacitetet e prodhimit të energjisë të jenë të gatshme për sezonin dimëror.

“Korporata gjithashtu thekson se, që nga viti 2013, pas shthurjes së sistemit të distribucionit dhe rrjetit, përgjegjësitë e saj janë përqendruar në eksploatimin e thëngjillit dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe termike. Kjo energji termike përdoret për ngrohjen e kryeqytetit përmes sistemit të Termokosit”.

“Për sa i përket operimit, KEK-u zakonisht operon me dy njësi të TC ‘Kosova A’ dhe dy njësi të TC ‘Kosova B’, duke siguruar një kapacitet konstant të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 750 MW/h”.

“Sa i përket furnizimit me energji elektrike, në raste të ngritjes së konsumit, kjo mbetet përgjegjësi ekskluzive e kompanisë që merret me këtë sektor, sipas licencës përkatëse. Andaj, për çdo kërkesë lidhur me furnizimin dhe ndihmën ndaj konsumatorëve, KEK-u i sugjeron të gjitha palët të drejtohen tek institucionet përgjegjëse për këtë fushë veprimtarie”, thotë KEK-u. /Zëri