Udhëheqësit evropianë zotohen për forcimin e mbrojtjes
Foto: Facebook / Vjosa Osmani

Udhëheqësit evropianë zotohen për forcimin e mbrojtjes

Aktuale November 07, 2024 - 21:50

Udhëheqësit evropianë u mblodhën më 7 nëntor në Budapest, në takimin që u zhvillua dy ditë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, teksa liderët u pajtuan të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të varen më pak nga Shtetet e Bashkuara.

Fitorja e Trumpit paraqet sfidë të madhe për Evropën dhe paraqet paqartësi në një kohë kur kontinenti po tenton të arrijë unitet dhe teksa dy fuqitë më të mëdha evropiane, Gjermania – Qeveria e së cilës sapo ka kolapsuar – dhe Franca po dobësohen.

Raportet e Trumpit me shumicën e udhëheqësve evropianë nuk ishin të mira gjatë mandatit të tij të parë si president (2017-2020). Që atëherë, ai ka thënë se nuk do të mbrojë aleatët evropianë, nëse ata nuk arrijnë kuotën e përcaktuar të NATO-s për shpenzime të mbrojtjes, ka shprehur skepticizëm lidhur me shkallën e mbështetjes amerikane për Ukrainën – që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022 – dhe ka propozuar taksa ndaj importeve, që do të preknin prodhuesit evropianë.

“Ka pasur një marrëveshje që Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë e saj. Të jem i sinqertë, ne nuk mund të presim nga amerikanët që të na mbrojnë”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, pasi më shumë se 40 udhëheqës evropianë u takuan në Budapest në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Osmani u pyet nga gazetarët nëse Kosova e sheh si kërcënim fitoren e Trumpit dhe Osmani tha se nuk e sheh kështu, pasi Kosova për dekada të tëra ka gëzuar mbështetje dypartiake amerikane.

Presidentja kosovare po ashtu tha se beson se do të vazhdojë bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së gjatë administratës së Trumpit.

“Zgjedhja e presidentit Trump do vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë në këtë drejtim. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi të bekuar me këtë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën Trump", tha Osmani gjatë deklarimit për media.

Komiteti Politik Evropian u krijua pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, me qëllim që të lidhë Bashkimin Evropian dhe shtetet fqinje, sikurse Britania, Turqia dhe Ukraina.

Orban është një prej aleatëve të ngushtë të Trumpit në mesin e udhëheqësve evropianë.

Edhe udhëheqësit e tjerë kishin mesazh të ngjashëm sa i përket rritjes së mbrojtjes evropiane, në një sinjal të qartë lidhur me zgjedhjen e Trumpit, i cili vazhdimisht ka kritikuar NATO-n.

“Ne nuk mund t’ia delegojmë përgjithmonë sigurinë tonë amerikanëve”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili që një kohë të gjatë po kërkon që Evropa të rrisë bashkëpunimin për mbrojtjen.

“Ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten”, tha ai gjatë samitit, duke paralajmëruar se Evropa nuk duhet të dobësohet.

Udhëheqësit e tjerë evropianë kanë mospajtime me Orbanin sa i përket mbështetjes së Ukrainës. Udhëheqësi hungarez ka thënë se Evropa duhet ta shqyrtojë këtë mbështetje, teksa të tjerët kanë shprehur mendimin se mbështetja për Kievin duhet të vazhdohet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte në mesin e shumë udhëheqësve që theksuan rëndësinë e vazhdimit të ndihmës evropiane dhe amerikane për Ukrainën.

“Është në interesin e të gjithë neve që autokratët në këtë botë të marrin një mesazh të qartë se nuk është çështje e fuqisë, se sundimi i ligjit është i rëndësishëm”, tha von der Leyen, e cila pas samitit zhvilloi një bisedë telefonike me Trumpin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është herët të parashikohet se çfarë drejtimi do të marrë Trumpi, por tha se një Amerikë e fortë do të ishte e mirë për Evropën dhe anasjelltas.

“Sigurisht, ne nuk mund ta dimë se si do të veprojë. Por, ne shpresojmë që Amerika do të bëhet më e fuqishme”, tha ai.

Trumpi ka thënë se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, e cila nisi më 2022, brenda ditësh pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ukraina dhe shumë mbështetës të saj evropianë druajnë se kjo nënkupton marrëveshje paqeje sipas kushteve që i leverdisin presidentit rus, Vladimir Putin, që përfshijnë heqjen dorë nga territori. /Rel