Rama në Hungari takohet edhe me Vuçiqin
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Budapest të Hungarisë, ku ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Politik Evropian.
Rama është takuar me disa liderë nga rajoni e nga Evropa.
Një takim i ngrohtë ka qenë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn. Nuk ka munguar shtrëngimi i duarve me Orbanin ose Macronin, shkruan “BalkanWeb”.
Por Rama ka gjetur dhe një kohë për t’u ulur edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Gjatë bisedave me Orbanin nuk kanë munguar edhe të qeshurat.
Liderët pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë, me të cilat përballet Evropa, në seancën plenare e cila do të pasohet nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.
Sesioni për migracionin do të përfshijë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa ai për sigurinë ekonomike do të diskutojë edhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale.