Pas fitores së Trumpit, reagon Vuçiq: Situatë pak më e favorshme për ne

Pas fitores së Trumpit, reagon Vuçiq: Situatë pak më e favorshme për ne

Aktuale November 06, 2024 - 20:35

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën se priste marrëdhënie të mira me SHBA-në pas fitores së republikanit, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, të cilën ai e quajti se do të kishte një “efekt shërues në situatën globale”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp me kryeministrin çek, Petr Fiala në Pallatin e Serbisë në Beograd, Vuçiq vuri në dukje se Serbia kishte arritur të mbajë një marrëdhënie të mirë me 78-vjeçarin pas mandatit të parë presidencial.

“(Kjo është) një situatë pak më e favorshme për ne, por nuk do të ketë ndryshime të mëdha”, tha ai, shkruajnë mediat serbe.

Udhëheqësi serb theksoi se priste presion nga SHBA-ja rreth bashkëpunimit të Serbisë me Kinën, të cilin tha se Uashingtoni e konsideronte si një “kundërshtar strategjik në skenën globale.”

“Ne do të jemi nën presion për të ulur nivelin e marrëdhënieve tona me RP Kinë. Ky është vlerësimi ynë; do të doja të gaboja në këtë çështje, por kam frikë se nuk jam”, shtoi ai.

Vuçiq shtoi se priste që lufta në Ukrainë të merrte fund pas fitores së Trumpit “jam i sigurt se presidenti i SHBA-së – dhe e di këtë nga dora e parë – do të ofrojë dhe kërkojë zgjidhje që nuk do të jenë të lehta për t’u gjetur. Pyetja është nëse dikush në Rusi në këtë kohë dëshiron që lufta të përfundojë”.

Ndryshe, Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale amerikane kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.