Murtezaj: Procesi i marrëdhënieve mes të Kosovës e SHBA-së është dinamik
Foto: Zëri

Murtezaj: Procesi i marrëdhënieve mes të Kosovës e SHBA-së është dinamik

Aktuale November 06, 2024 - 19:22

Valon Murtezaj, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, ka komentuar fitoren e Donald Trump. Duke folur për raportet Kosovë- SHBA me administratën e Trump-it, ai ka thënë se marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë statike, por janë dinamike dhe do të ketë vazhdimësi të bashkëpunimit.

Profesori Murtezaj marrëdhëniet me Kosovën gjatë administratë së Trump-it, i vlerësoi të mirë dhe se do të ishte i mirë, nëse do të konkretizohej me startimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë të arritur në shtator të vitit 2020.

Sipas tij, marrëdhëniet në mes të Kosovës e SHBA-së nuk janë statike, por janë dinamike.

“Procesi i marrëdhënieve mes Kosovës e SHBA-së nuk është statik, është dinamik dhe është proces i vazhdueshëm i bashkëpunimit”, ka theksuar Murtezaj, për RTK.

Për fjalimin e presidentit Trump në Florida, ku ka përmendur, mes tjerash, ekonominë dhe emigrantët, Murtezaj ka thënë se çështja e emigracionit ka qenë përcaktuese në gjithë fushatën e tij presidenciale, që, siç u shpreh ai, duket ka pasur ndikim te votuesi amerikan, derisa përmendi edhe disa çështje të tjera, si aborti, taksat, aspekte të politikës së jashtme.

“Sa ishte president, Trump angazhohej që në politikën e Jashtme SHBA të mos jetë e angazhuar në kuptimin ushtarak”, tha Murtezaj. Por, ai tha se tash gjërat do të shkojnë më ndryshe, duke thënë se “as Amerika nuk mund ta rregullojë botën për katër vjet”.

Tutje, Murtezaj foli për reagimin e opinionit francez lidhur me fitoren e presidentit Trump. Ai ka theksuar se relacioni për Donald Trump si president nuk është diçka e panjohur.

Murtezaj ka deklaruar se presidenti Trump tanimë ka përvojën e tij se “çfarë mund të bëhet e çfarë jo, do të jetë shumë më realist, ndonëse është president atipik”.