Lista Serbe pret që administrata Trump të insistojë për themelimin e Asociacionit

Lista Serbe pret që administrata Trump të insistojë për themelimin e Asociacionit

Aktuale November 06, 2024 - 16:46
Lista Serbe mirëpret fitoren e Trumpit

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka mirëpritur kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

“Në emër të popullit serb nga Kosova, Lista Serbe përgëzon Donald Trumpin për fitoren e tij bindëse dhe për zgjedhjen në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, të bindur se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë midis SHBA-së dhe Serbisë, të ndërtuara në mandatin e parë të presidentit Trump, do të përparojnë dhe forcohen më tej”, tha Lista Serbe në një njoftim.

Ajo tha se beson dhe pret që “pozita dhe problemet e popullit serb në Kosovë do të jenë më shumë në fokus, të bindur se administrata e presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e përndjekjes sistematike të popullit serb nga vendet e tyre të lashta në Kosovë’”, pa dhënë dëshmi për pretendimet për përndjekje të tilla të serbeve në Kosovë.

Lista Serbe tha se shpreson se administrata e ardhshme e Trumpit do të ndikojë që Kosova ta themelojë Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

“Ne jemi të bindur se administrata e presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e persekutimit sistematik të popullit serb nga vatrat shekullore në Kosovë, si dhe se do të insistojnë në respektimin e të drejtave themelore njerëzore dhe politike të popullit serb, si dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht ajo që ka të bëjë me formimin e Asociacionit”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe thekson se populli serb ka qenë gjithmonë me presidentin Trump dhe për këtë arsye është i inkurajuar nga kjo fitore historike.

“Populli serb gjithmonë ka qenë përkrah presidentit Trump, prandaj është sinqerisht i inkurajuar nga kjo fitore historike”, tha ajo.