Protestohet në mbështetje të punëtoreve teknike të Kuvendit: Punëtoret nuk janë mall

Protestohet në mbështetje të punëtoreve teknike të Kuvendit: Punëtoret nuk janë mall

Aktuale November 06, 2024 - 13:43

Kolektivi Feminist dhe organizata “Përpjekja” kanë mbajtur protestë solidarizuese me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.

Ato kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrimin “Punëtoret nuk janë mall”, “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë”, “Schafberger shtyp punëtoret. Kuvendi e lejon”.

Yll Islami, nga organizata “Përpjekja”, ka thënë se këto gra tani janë në javën e tetë të grevës dhe se kërkesat i kanë të qarta dhe të drejta.

Ai ka thënë se kompania “Schafberger”, e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ofertën më të lirë e ka ofruar në kurriz të punëtoreve, të cilat i paguan vetëm 275 euro në muaj, pagë kjo që, sipas tij, në shumë raste nuk e mbulon as qiranë e banesës në Prishtinë.

Islami ka thënë se do të vazhdojnë me aktivitete, derisa këtyre punëtoreve t’u plotësohen kërkesat, raporton EO.

“Jemi mbledhur sot para Kuvendit të Republikës në protestën solidarizuese me punëtoret greviste. Tashmë jemi në javën e tetë të grevës së punëtoreve teknike, të cilat kërkesat i kanë të qarta dhe të drejta: pagë 550 euro dhe trajtim të dinjitetshëm në punë! Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri-tjetrin tradhtar, në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë përpara zgjedhjeve. Pas pak ditësh do të dalin cep më cep Kosovës për të na treguar se sa shumë e kanë hallin te ne, e cili do të punojë më shumë për klasën punëtore. Por, një hap larg nga ndërtesa e Kuvendit po zhvillohet një grevë nga punëtoret sanitare, e shumë nga ta as nuk janë në dijeni, kjo tregon se janë demagogë e të pasinqertë që pushtetin e kanë qëllim në vete, e jo në favor të qytetarëve që ia u delegojnë atë pushtet”, tha Islami.

“Kompania ‘Schafberger’, e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ofertën më të lirë e ka ofruar në kurriz të punëtoreve, të cilat i paguan vetëm 275 euro në muaj, pagë kjo që në shumë raste nuk e mbulon as qiranë e banesës në Prishtinë. Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontrata duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës.

Por tashmë e dimë që pagat e kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë. Organizimi i punëtorëve është zgjidhja e vetme. Qëndresa frymëzuese e këtyre grave punëtore është shembulli që duhet ndjekur.

Prandaj, ju ftojmë në organizim. Ju ftojmë dhe në aktivitetet tona të radhës, deri në plotësimin e kërkesave të grave greviste”, ka thënë ai. /EO