Buja thotë se kishte propagandë ndaj tij dhe Krasniqit se kinse kanë ikur nga lufta

Buja thotë se kishte propagandë ndaj tij dhe Krasniqit se kinse kanë ikur nga lufta

Aktuale November 05, 2024 - 17:40

Dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se ka pasur propagandë ndaj tij se kinse ka ikur nga lufta, ngjashëm tha se kishte propagandë edhe për zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.

Buja tha se kishte pritur që të merreshin masa ndaj atyre që po e përhapnin dhe përkrahnin këtë propagandë, e që njëri prej këtyre personave ishte edhe udhëheqës i njësitit.

“Për një periudhë kam pritë që të veprohet, por nuk ka pas ndonjë veprim”, tha Buja. Shtoi se shqetësimin e tij ia ka thënë Jakup Krasniqit, me mendimin se ai do ia percjellë Shtabit të Përgjithshëm.

“Pas bisedës me Jakup Krasniqin, unë kam prit për disa ditë e që mund të jenë edhe javë që të merret ndonjë masë ndaj meje apo ndaj atyre që kishin hapur propagandë të tillë, por nuk është marrë ndonjë masë dhe diku nga mesi i gushtit me është thënë që të shkoj të rregulloj vijat furnizuese në nënzonën operative, në të cilën isha përcaktuar si komandant i nënzonës dhe të filloj të strukturoj Zonën Operative”, tha Buja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, kjo detyrë i kishte ardhur kur e kishte njoftuar Jakup Krasniqin që po udhëtonte për në Shqipëri, e që ky i fundit pastaj i kishte thënë që ta rregullonte vijën e furnizimit me armë dhe strukturën.

“Aty nëse nuk gaboj ka qenë edhe Azem Syla që unë në periudhën e korrikut kam supozuar, ashtu edhe flitej që është komandant i përgjithshëm”, tha Buja, duke shtuar se rregullimi i vijës së furnizimit nuk ishte urdhër por sugjerim pasi që vetë dëshmitari ishte komandant i nënzonës.

Dëshmitari u pyet se a është takuar ndonjëherë në Kleçkë me Hashim Thaçin.

“Nëse nuk gabo jam takuar në korrik. Ka pas një takim me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj dhe pas takimit me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj, ne kemi shkuar për t’u takuar me popullatën civile në Grykë të Shalës”, tha Buja, i cili theksoi se nuk ka qenë personalisht në këtë takim.

Në këtë takimin me civilët, Buja tha se ishte Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi e që civilëve iu kishte folur ky i fundit pasi që ndaj tij ishte përhapur një propagandë e fuqishme se kinse ky i fundit kishte ikur nga lufta.

Dëshmitari u pyet për rolin e Sokol Bashotës gjatë verës së vitit 1998, e për të cilin tha se atë kohë nuk kishte njohuri.

Kurse i pyetur se a është takuar gjatë verës së ’98-ës me Azem Sylën, dëshmitarit nuk iu kujtua saktë muaji.

“Ka qenë muaji korrik nëse nuk gaboj por ka qenë realisht një periudhë e ofensivës shumë të ashpër nuk e di a ka qenë fundi i korrikut apo gushtit”, tha Buja.

Buja tha se në çdo luftë, ushtritë nuk i pranojnë se kanë humbje dhe i ekzagjerojnë fitoret e veta.

Andaj, ai tha se ata si UÇK janë munduar që të japin një zë më shumë se që kanë pasur forcë në ushtri për shkak se kishte nevojë për propagandë më të fuqishme.

“Por keni parasysh se këto deklarime kanë mujt me qenë deklarime për të bërë një propagandë më të fuqishme se jemi më të organizuar, jemi të fuqishëm etj. Në çdo lutë, ushtritë nuk pranojnë se kanë shumë humbje, por i ekzagjerojnë fitoret e veta. Edhe ne si UÇK- jemi mundu që t’i japim një zë më shumë se sa që e kemi pasur forcën e ushtrisë tonë sepse ka pas nevojë për propagandë më të fuqishme”, tha Buja

Përpara kësaj deklarate, dëshmitarit iu prezantua një pjesë enjë gazete pretendohet se dëshmitari ka thënë se UÇK-ja fitoi mbështetje të madhe sidomos mbas ngjarjes në Prekaz e që shumë shpejt ata arritën një organizim ushtarak duke filluar nga kuadra, togu, kompania, batalioni, brigada etj.

Megjithatë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka dhënë ndonjë deklaratë të tillë për atë gazetë.

Dëshmitari gjithashtu u pyet se në janar të 99-ës a ka shkuar në Zonën Operative të Noredimes dikush nga Shtabi i Përgjithshëm për t’i vizituar.

“Tash nuk po me kujtohet”, tha Buja duke përmendur një ceremoni të betimit në Jezerc e që mendon se ka ndodhur në dhjetor të 98-ës dhe jo në janar ku kanë marrë pjesë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

Buja tha se ka pasur oficer në atë ceremoni e që dy prej tyre ishte Salih Veseli i cili ka qenë në operativen e Bislim Zyrapit dhe Rexhep Selimi. Ndërsa, për te tjerët tha se nuk e din.

“Me sa di unë, po”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se operativa e Zyrapit a ishte brenda Shtabit të Përgjithshëm.