Flutura Kusari dorëzon ankesë në KPM kundër BBVK-së dhe Klan Kosovës
Juristja e medias Flutura Kusari ka dorëzuar sot ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother VIP Kosova dhe Klan Kosova.
Kusari ka njoftuar për ankesën, derisa tha se liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute, transmeton Zeri.info.
“Këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi dhe është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore”.
“Vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovimi i tij në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes”.
“Kërkova nga ana e Komisionit të Pavarur për Media të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të Nenit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës nr. KKPM-2016/03”, shkroi Kusari.
Ajo shtoi se ky do të jetë një rast kyç për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion. /Zëri