Osmani: Kosova, e bekuar me përkrahjen dypartiake amerikane
Foto: Laura Hasani

Osmani: Kosova, e bekuar me përkrahjen dypartiake amerikane

Aktuale November 05, 2024 - 13:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë sot se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, demokratja Kamala Harris apo republikani Donald Trump, SHBA-ja do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.

E pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, e para e shtetit tha se vendi ynë në vazhdimësi e ka pasur mbështetjen e Qeverisë amerikane, pavarësisht se kush ka udhëhequr me Shtëpinë e Bardhë.

“E kemi fituar lirinë kur në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane. Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që SHBA-ja vazhdon të jetë lidere e botës së lirë dhe aleatja më e rëndësishme strategjike e Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date”, theksoi Osmani në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë. /EO