“Mos i promovoni dhunuesit!” - Rrjeti i Grave me reagim ndaj Klan Kosovës

“Mos i promovoni dhunuesit!” - Rrjeti i Grave me reagim ndaj Klan Kosovës

Aktuale November 05, 2024 - 10:12

Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur shqetësim për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore, siç u pa mbrëmë në televizionin Klan Kosova.

Sipas RRGK-së, ajo që ka ndodhur mbrëmë në një shou në Klan Kosova është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.

“Të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet”.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë, në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë”, thuhet në reagim. /Zëri