Avni Dehari: Çështja e Astritit në dorën e Prokurorisë, s’kanë bërë diçka më tepër
Foto: Laura Hasani

Avni Dehari: Çështja e Astritit në dorën e Prokurorisë, s’kanë bërë diçka më tepër

Aktuale November 05, 2024 - 09:32

Sot bëhen tetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit. Tetë vjet më parë aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në Prizren, i cili po akuzohej bashkë me pesë aktivistë të tjerë për gjuajtjen e Kuvendit me zollë.

Pas vdekjes së Deharit Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se gjatë mandatit të saj qeverisës do ta zbardhte këtë rast, por ndodhi e kundërta. Ishte dhjetori i vitit 2022 kur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte njoftuar opinionin publik se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit nga Instituti Mjekoligjor në Prishtinë, të cilat ishin gjetur sërish pas gati një viti e gjysmë.

Për këtë rast katër persona të dyshuar u suspenduan.

Se si e ka parë punën e Ministrisë e Drejtësisë dhe Prokurorisë për zbardhjen e vdekjes së djalit të tij ka folur babai i Astritit, Avni Dehari.

Dehari deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Prokuroria disa herë të zbardhet ky rast, por këta të fundit e kanë konsideruar si ndërhyrje.

“Pushtetet janë të ndara dhe nuk kanë mundësi t’i përzihen Prokurorisë. Kanë kërkuar shpesh herë si ministrja dhe kabineti i saj që të zbardhet këtë rast edhe atë e kanë konsideruar si ndërhyrje”, deklaroi Dehari.

Tutje, Dehari thotë se çështja e djalit të tij është në dorën e Prokurorisë.

Sipas tij, mbi këtë rast s’ka bërë ndonjë gjë.

“Çështja e Astritit është në dorën e Prokurorisë që nga fillimi e deri më sot janë të njëjtit persona që kanë qenë 2016 dhe nuk kanë bërë diçka më tepër”, u shpreh Dehari. /Frontonline