Musliu: Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrat në rastin e Astrit Deharit
Foto: Laura Hasani

Musliu: Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrat në rastin e Astrit Deharit

Aktuale November 05, 2024 - 09:23

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është shprehur se rasti i Astrit Deharit është shpërfaqja e shëmtuar e kauzave demagogjike të Kurtit.

“Rasti i Astrit Deharit është shpërfaqja më e shëmtuar e kauzave demagogjike të Albin Kurtit”, deklaroi Musliu.

Deputetja Musliu për “Front Online” ka deklaruar se pas pesë vitesh qeverisje, pushteti aktual për këtë rast s’ka guxim ta thotë të vërtetën.

“Edhe pas pesë vjetësh qeverisje të Albin Kurtit nuk janë vërtetuar akuzat dhe propagandën e tij, por nuk gjejnë kurajën për të thënë të vërtetën, sepse ende synojnë ta përdorin si rast”, thotë Musliu.

Musliu thotë se familja Dehari e meriton të vërtetën e këtij rasti.

Sipas saj, Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e mostrave të Deharit.

“Është shumë e dhimbshme dhe bashkëndjej me familjen, por ka ardhë koha që Albin Kurti të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrat, akuzat, indoktrinimin e të rinjve, për humbjen e mostrave si dhe për zjarrin në institutin e mjekësisë ligjore. Astrit Dehari dhe familja Dehari meritojnë të vërtetën dhe qetësinë”, u shpreh Musliu.