Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi “edhe pse çaloi procesi”
Foto:Laura Hasani

Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi “edhe pse çaloi procesi”

Aktuale November 05, 2024 - 08:52

Sot u mbushën katër vjet që kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, janë dërguar në paraburgim në Hagë.

Deputetët shprehin optimizëm se Gjykata Speciale do t’i shpallë ata të pafajshëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se beson në drejtësinë dhe se katër krerët e UÇK-së do të dalin nga kjo gjykatë të pafajshëm.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, luftë çlirimtare dhe jo një luftë okupuese në drejtim të Serbisë.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që do të dalin të pafajshëm, lufta e UÇK-së ka qenë lufta çlirimtare dhe më e pastër e një ushtrie vullnetare dhe çlirimtare, prandaj ne besojmë thellë që lufta e UÇK-së që do të dëshmohet që ka qenë e pastër dhe është e pastër në realitet ne mendojmë që edhe krerët e UÇK-së që po përballen me këtë proces gjyqësor më në fund do të dalin të pafajshëm dhe do ta fitojnë lirinë e tyre e cila e tashmë po bëhet katër vite, një periudhë mjaftë e gjatë kohore e cila sigurisht i godet ata edhe familjet e tyre. Ne besojmë në drejtësi dhe duhet të besojmë gjithmonë në të, prandaj shpresojmë që do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Dugolli për EO-në.

Tutje, Dugolli ka theksuar se krahas pretendimeve për krime lufte nga UÇK-ja, duhet të hapet akuzë për krime të Serbisë ndaj Kosovës.

“Nëse e krahasojmë akuzën apo pretendimet e akuzës për të cilat ata veçse po mbahet atje dhe bëjmë një analizë se çka është ndërmarrë deri tani ndaj krimeve që ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve, ndaj popullatës civile ndaj njerëzve të pafajshëm dhe bëjmë një krahasim se çka është bërë për të hedhur dritë në errësirë. Del që bilanci është tejet negativ ndaj shqiptarëve për shkak se shqiptarët kanë bërë luftë çlirimtare dhe nuk kanë bërë luftë okupuese dhe në këtë drejtim mund të them se drejtësia ka çaluar dhe po çalon. Sepse nëse do të duhej të hapet një hetim apo një akuzë të bëjnë ndaj shqiptarëve më së paku 10 do të duhej që të bëhet kundër Serbisë, të cilët kanë ushtruar terror dhe gjenocid ndaj popullatës civile. Besoj shumë në drejtësi dhe do të triumfoj do të lirohen dhe do të shpallen të pafajshëm”, ka theksuar ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, për Ekonominë Online ka deklaruar se beson se drejtësia është në favorin e UÇK-së.

Berisha ka thënë se që nga fillimi i kësaj gjykate nuk ka pasur bazë për ngritje të aktakuzave.

“Mbetem fanatik i qëndrimit se besojmë në drejtësi dhe besojmë që do të vendoset drejtësi dhe do të jetë në favor të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes liderëve të saj që sot qëndrojnë në Hagë. Që nga fillimi i kësaj gjykate ka provuar se nuk pasur bazë për ngritje të aktakuzave bazuar në dokumentin të cilin e ka shkaktuar formimin e saj që është raporti i Dick Martyt i miratuar në Këshillin e Evropës. Zgjerimi i periudhës hetimore deri në dhjetor 2000 është një shkelje dhe një veprim i pa ndershëm i cili ka kaluar në votim edhe në këtë legjislaturë të kësaj mazhorance sepse UÇK e ka kryer misionin e saj në qershor të vitit 1999 dhe është shpërbërë përmes një procesit të atëhershëm”, ka deklaruar Berisha.

“Nuk bart përgjegjësi UÇK-ja për veprat dhe krimet e kryera pas kësaj periudhe të cilat duhet të hetohen dhe të zbardhen dhe njerëzit duhet të marrin dënimin që e meritojnë”, shtoi ai.

Ndërsa për vazhdimin tutje të kësaj gjykate, Berisha ritheksoi se është marrë një drejtim tjetër e jo e vendosjes së drejtësisë, por të bërjes politikë.

“Vazhdimi tutje i kësaj gjykate dhe funksionimit të saj me përcjellësin e hetimit të dëshmitarit e të tjerëve që nga prokurori i parë e të tjerët kanë dëshmuar që kjo gjykatë ka marrë një drejtim tjetër jo të vendosjes së drejtësisë, por të bërjes politikë në raport me vlerat që qëndrojnë në themelet e rinisë, pavarësisë, shtetit dhe institucioneve të Kosovës, pra funksionalizmin e tij. Dhe që shkon çdoherë ndesh me opinione të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën në Kosovë dhe pacenueshmërinë e të drejtës ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, janë demantuar të gjithë dëshmitarët, për ta paraqitur UÇK-në si ndërmarrje kriminale.

“Kanë demantuar të gjithë dëshmitarët e prokurorisë nën pretendimin e tyre për krime që kanë qenë nivele banale duke pretenduar që në emër të gjendjes afektive në periudha lufte, ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale, që gjoja paska kryer dhe vepra makabre të trafikimeve të organeve e të tjera. Diçka që nuk ka kuptim e pa mundshme pra një ushtri që ka lindur nga populli dhe nga dhuna e presioni i regjimit të Millosheviqit. Besoj në drejtësi dhe ky katër vjetor nuk do të shkoj tutje duke u bazuar edhe zhvillimet politike në ShBA dhe në ardhjen në pushtet të partive që mbrojnë vlerat konservatore dhe popujt që luftojnë për lirinë dhe mbrojtjen e identitetit vet kombëtar”, përfundoi Berisha.

Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. /EO