Gërvalla pret homologun e saj nga Luksemburgu
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Xavier Bettel.
Siç është bërë e ditur në njoftim, pas takimit do të ketë edhe konferencë për media.
Pas këtij takimi, në orën 13:55, ai do të pritet nga zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë, ku të dy liderët do të zhvillojnë bisedime për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në një ceremoni të veçantë, Bislimi dhe Betteli do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit. Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.
Në fund të vizitës së tij, Betteli do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në një takim zyrtar ku do të diskutohen temat e përbashkëta dhe mbështetja e Luksemburgut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Kjo vizitë pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit. /Zëri