Thanë se s’do ta miratojnë buxhetin, Kusari-Lila: Kemi shumicën parlamentare, s’na nevojitet opozita
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se partia e saj ka mjaftueshëm mbështetje për të miratuar ligje dhe vendime, duke përfshirë buxhetin e propozuar nga qeveria “Kurti”, pa pasur nevojë për mbështetjen e opozitës.
Buxheti për vitin 2025 pritet të diskutohet në Kuvend, të hënën e 11 nëntorit.
Deklarata e saj erdhi pasi partitë opozitare kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj buxhetit, duke njoftuar se nuk do ta votojnë.
Kusari-Lila ka shtuar se nuk është hera e parë që opozita nuk merr pjesë në miratimin e projketbuxhetit gjatë këtij mandati.
“Nuk ka asgjë të re. Nëse e shikoni modelin e opozitës, ata nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga miratimet që kanë ndodhur gjatë kësaj legjislature. Ne, po, e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe në votimet e mëparshme. Arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera. Ndërsa për opozitën, s’kam çfarë të shtoj”, tha Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.