Bashkëveprimtari i Zhitisë: Afrimi ishte një patriot i madh
Një kujtim të veçantë e sjell në vëmendje edhe bashkëveprimtari i Afrim Zhitisë, Beqir Beqa, të cilët ishin takuar në burgun e Pozharecit në vitet e 80-ta. Ai thotë se Afrim Zhitia ishte njeri i veçantë që veprimtarisë çlirimtare iu ka bashkuar pa hamendje.
Në 35 vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë, me mall për të, flet bashkëveprimtari i tij me të cilin ishin bashkë në burg, Beqir Beqa.
Ai thotë se rënia e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut ka qenë një goditje e madhe për Kosovën, e sidomos për të që e ka pas shok dhe bashkëveprimtar.
"Me Afrimin kemi qenë në burg të Pozhorevcit bashkë, aty jemi njohur, kemi fillu shoqërinë dhe Afrim Zhitia ka qenë një njeri i veçantë që veprimtarisë çlirimtare i është bashku pa hamendje. Me daljen e tij nga burgu, në shkurt të vitit 1988, ai pa diskutime, pa pritë me pushu, iu është bashkëngjitë forcave të organizuara të lëvizjes popullore të Kosovës”, tha Beqir Beqa.
Sipas tij, Kosova për të cilën kanë rënë dëshmorët, mund të ishte edhe më mirë, por që pret të konsolidohet në vazhdim.
“Afrim Zhitia ka pasë një aftësi të shpërndarjes së vullnetit pozitiv, ka qenë një ideolog, një njeri që ka lexu shumë, është përgatitë në mënyrë ideologjike, një patirot i madh, por dhe një njeri që e donte jetën po bashkë me jetën e donte edhe lirinë”, theksoi ai.
Beqa uron që Zhitia, Fazliu dhe të gjithë dëshmorët e rënë të kujtohen gjithmonë nga gjeneratat e ardhshme për idealin e tyre. /rtk