FSK-ja vazhdon të furnizohet me ushqim përmes kontratave aktive të AQP-së
Foto: Laura Hasani

FSK-ja vazhdon të furnizohet me ushqim përmes kontratave aktive të AQP-së

Aktuale November 02, 2024 - 20:44

Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të furnizohet me ushqim përmes kontratave aktive të Autoritetit Qendror të Prokurimit. Pra, ende s`ka staf të rekrutuar profesional të kuzhinierëve dhe stafit mbështetës në FSK.

Por, merret vesh se konkursi tashmë është mbyllur, ndërsa procedurat e tij pritet të përfundojnë brenda 45 ditësh.

Ende nuk është përzgjedhur stafi profesional vetanak që do të furnizonte pjesëtarët e FSK-së me ushqim. Por, merret vesh se tashmë është mbyllur konkursi, procedurat e të cilit parashihet të mbyllen brenda 45 ditësh.

"Nuk ekziston asnjë kontratë me operatorë ekonomikë për çështje të ushqimit që është e lidhur direkt me Ministrinë e Mbrojtjes si Autoritet Kontraktues. Është bërë e ditur disa herë se Ministria e Mbrojtjes është duke shfrytëzuar kontratat aktive të AQP-së deri në rekrutimin e stafit profesional të kuzhinierëve dhe stafit mbështetës, për pranimin e te cilëve veçse është mbyllur konkursi", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

E për “Sfidat e prokurimit për ushqimin e FSK–së”, Iniciativa për progres ka dalë me një raport.

INPO thotë se në raport është shqyrtuar ligjshmëria dhe efektiviteti i procedurave të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes gjatë viteve 2018-2024.

Sipas kësaj analize, janë nxjerrë në pah mungesa e transparencës, përdorimi i shpeshtë i procedurave të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, trajtimi jo i barabartë i operatorëve ekonomikë e probleme të tjera.

"Operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nga ana e Ministrisë mbrojtjes ka qenë i papërgjegjshëm dhe në bazë të vendimeve të OSHP-së pasiqe nuk e ka plotësusuar një nga kriteret e parapara në dosje të tenderit .Kjo kontratë ka përfunduar në vitin 2023 dhe pamundësitë e MIn të Mbrojtjës për të arritur një kontratë tjetër të rregulltë kanë obliguar min e mbrojtjëes që në emer të situiatës emergjenteë ti nënshkruaj edhe tre kontrata  të tjera me anë të procesurë së negocuar me operatorin ekonomik i cili vecse e ka pasur kontratën paraprake", deklaron Arbër Kabashi, zyrtar monitorues në INPO.

Sipas analizës së INPO-s, një nga çështjet kryesore të identifikuara në këtë hulumtim është dhënia e kontratës për operatorin ekonomik të papërgjegjshëm dhe mosndërmarrja e masave të duhura ligjore ndaj dokumentacioneve të dyshimta.

"Ne kemi rekomanduar për Ministrinë e Mbrojtjes që në të ardhmën të ketë kujdes në hartimin e specifikimeve teknike në mënyrë që  probleme të cila që çojnë deri te moskontraktimi i një kontrate të mos ketë", shton Kabashi.

Po ashtu, sipas analizës së INPO-s, përdorimi i situatave emergjente ka krijuar një mjedis që cenon konkurrencën e drejtë dhe favorizon operatorë të caktuar.