Bajrami: Manipulimeve po ju vjen fundi, raporti i ZKA-së tregon për 31 milionë eurot për karburante
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Manipulimeve po ju vjen fundi, raporti i ZKA-së tregon për 31 milionë eurot për karburante

Aktuale November 01, 2024 - 17:13

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka dalë më një sqarim shtesë për deklaratën e saj se 31 milionë euro janë përdorur për naftin e veturave zyrtare në vitin 2023.

Bajrami përmes një postimi rrjetin social Facebook, ka thënë se deklarata e saj për këtë çështje është e bazuar pikërisht në raport zyrtar, në raport të publikuar që është lehtë e vërtetueshme.

“Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e  ju mbron juve”.

“Shiheni në raportin e ZKA-së për vitin 2019: për karburante për vetura, lëndë djegëse dhe dru,  janë shpenzuar rreth 13.5 milionë Euro, derisa në 2023 vetëm në karburante 31 milionë Euro. Faktet janë fakte. Manipulimeve po ju vjen fundi”, ka thënë Bajrami.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte reaguar pas deklaratës së dhënë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami se Qeveria Kurti i ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante. Ai kishte thënë se deklarata e Bajramit është e pavërtetë, pasi sipas tij, shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe lokal është 10.47 milionë euro.