Gërvalla takon homologen kanadeze: Partneritet i fuqishëm ndërshtetëror
Në margjinat e Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly.
Përmes një njoftimi për media nga MPJD-ja, thuhet se Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Kanadasë për Kosovën dhe ndërtimin e partneritetit të fuqishëm ndërshtetëror.
“Përgjatë takimit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit në kuadër të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
“Ministrja Gërvalla vlerësoi lart angazhimin e Kanadasë në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes së Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Gërvalla theksoi se integrimi i Kosovës në NATO është i një rëndësie të veçantë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim. /Zëri