Kurti takohet me Parmelin në Zvicër, i flet për rritjen e investimeve të huaja në Kosovë

Kurti takohet me Parmelin në Zvicër, i flet për rritjen e investimeve të huaja në Kosovë

Aktuale November 01, 2024 - 12:06

Kryeministri Albin Kurti ka takuar sot këshilltarin federal të Zvicrës dhe kryesuesin e Departamentit për Çështje Ekonomike, të Arsimit dhe Hulumtimit, Guy Parmelin.

“Kosova dhe Zvicra kanë marrëdhënie të shkëlqyera, me diasporën tonë si urë lidhëse dhe faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona”, ka thënë Kurti.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës dhe theksoi rëndësinë e thellimit edhe më tej të marrëdhënieve tona.

“Bashkëpunimi ynë ekonomik dhe tregtar po shtohet çdo vit, gjersa niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit është rritur për rreth 170%”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq, nënvizoi edhe rritjen e eksporteve nga Kosova drejt Zvicrës, ku në të njëjtën periudhë kohore, eksportet janë gati dyfishuar dhe përfshijnë një shumëllojshmëri produktesh si metale, produkte minerale, ushqime, plastikë, gomë, makineri, pajisje, materiale elektrike dhe tekstile. Zvicra është tashmë destinacioni i pestë më i madh për mallrat e Kosovës.

“Në takim u theksua fakti se Kosova ka arritur Marrëveshjeve për Tregti të Lirë me vendet anëtare të EFTA-s, pjesë e së cilës është edhe Zvicra. Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me vendet EFTA-n, duke shtuar kështu korpusin e mundësive për shkëmbime dhe bashkëpunim”, thuhet në njoftim. /Zëri

Image