BE: Kosova të ecë përpara me themelimin e Asociacionit në përputhje me draftstatutin e BE-së
Foto: Laura Hasani

BE: Kosova të ecë përpara me themelimin e Asociacionit në përputhje me draftstatutin e BE-së

Aktuale October 31, 2024 - 14:07

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës të bëjë hapa përpara në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në përputhje me draftstatutin e BE-së.

Në një përgjigje për Tëvë1, nga BE-ja është thënë se formimi i Asociacionit është obligim i Kosovës nga marrëveshja e vitit 2013, e ratifikuar në Kuvend.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me draftstatutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka thënë Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri.

Kjo deklaratë e BE-së është bërë kur janë pyetur për atë që u shpreh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, se Kosova s’po trajtohet si shtet nga BE-ja dhe si kanë marrë të drejtën për hartimin e draftstatutit të Asociacionit.

Ajo ka thënë se përmbushja e obligimeve është e detyrueshme për dtë yja vendet dhe se edhe Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga kjo marrëveshje.

“Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në draftstatutin evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka deklaruar BE-ja.