Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

Aktuale October 31, 2024 - 14:05

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiun.

Gjatë takimit, Begaj ka përshëndetur nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat euroatlantike.

“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Begaj shprehu edhe rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.

Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik.

Tutje, Begaj rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar.

“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, u shpreh Begaj, i cili theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.