Zejnullahu: Prishtina me mungesë uji, qytetarët po duhet të blejnë ujë nga kompanitë e privilegjuara nga Qeveria
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, në seancën e sotme të Kuvendit e ka ngritur shqetësimin që qytetarët e kryeqytetit po e kanë me ujin e pijshëm.
Zejnullahu tha se kryeqyteti po përballet me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të pranisë së madhe të manganit në liqenin e Badocit, teksa e fajësoi Qeverinë për neglizhencë ndaj kësaj situate.
“Qindra e mijëra qytetarë janë detyruar të blejnë ujë për pije e ushqim çdo ditë, dhe këta qytetarë po e ndjejnë rëndesën e një keqqeverisje dhe mosveprimin e tyre. Kjo situatë është pasojë e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësie e cila është bërë normë në këtë qeveri që po luan me shëndetin dhe jetën e qytetarëve të saj”.
“Përderisa qytetarët po vuajnë, ata që janë në pushtet po heshtin, pasi në këtë çështje nuk kanë mundësi për përfitime personale dhe të paligjshme. Kur vjen puna të kompanitë private të ambalazhuesve të ujit, kur janë miliona euro në pyetje, Qeveria dhe Albin Kurti janë prezentë kudo”, tha ajo.
Ajo e përmendi edhe çështjen e ambalazhuesve të ujit, për të cilët tha se qeveria “me vetëm një vendim korruptiv ua fali mbi 11 milionë euro borxhe këtyre kompanive”, teksa shtoi se qytetarët e lënë pas dore nga qeveria po duhet të blejnë ujë nga këto kompani.
“Liqeni i Badocit i ndotur nga mangani, po rrezikon shëndetin e qytetarëve. Ky ujë nuk mund të përdoret as për pije e as për ushqim, pasi ekspozimi ndaj tij për një kohë të gjatë mund të shkaktojë probleme shëndetësore”.
“Në vend që qeveria të veprojë për këtë problem, ajo qëndron e heshtur dhe pasive. Sipas Ligjit për ujërat, kryeministri është kryetar i Këshillit Ndërministror për Ujëra dhe si rrjedhojë, ai është i detyruar që të vijë në kuvend dhe të raportojë për këtë situatë”, tha ajo.