Selmanaj: Të dhënat e Raportit të Progresit janë shqetësuese, në lirinë e shprehjes morëm goditjen më të madhe
Foto: Laura Hasani

Selmanaj: Të dhënat e Raportit të Progresit janë shqetësuese, në lirinë e shprehjes morëm goditjen më të madhe

Aktuale October 31, 2024 - 12:06

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për Raportin e Progresit për Kosovën, të cilin e pranoi dje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Selmanaj tha se të dhënat e Raportit të Progresit janë shumë shqetësuese dhe sipas tij, një nga termat që përmendet më së shumti është “centralizim tek pushteti ekzekutiv”, në pothuajse të gjitha temat.

Ai tha se tek institucionet demokratike, Raporti flet për kuvendin, ku sipas tij, thotë se kuvendi ka hasur në vështirësi të arritjes së kuorumit për vendimmarrje gjë që ka vonuar legjislacionin dhe funksione të tjera kyçe.

“Mosmarrëveshjet politike, mungesa e bashkëpunimit me opozitën kanë penguar progresin dhe reformat e lidhura me BE-në. Niveli i lartë i vendimmarrjes të centralizuara në ekzekutiv ka dobësuar përfshirjen demokratike dhe rolin e ministrive përkatëse duke kufizuar shumëllojshmërinë e perspektivave politike në vendimet kyçe”.

“Kur flet për administratën publike. Dobësitë e administratës mbeten të shumta, përkeqësim si pasojë e strukturave të paqarta të llogaridhënies dhe përparim i kufizuar në zbatimin e praktikave të rekrutimit mbi bazën e meritës”.

“Kur flet për sundimin e ligjit dhe vështirësitë në gjyqësor. Reforma në gjyqësor është penguar nga ndryshimet legjislative të nxituara dhe pa konsultime të plota. Madje shkon edhe më larg ku thotë se nuk janë marrë parasysh fare rekomandimet e Komisionit të Venecias edhe në rastet konkrete si në atë për Ligjin për KPK-në”, tha Selmanaj për Raportin e Progresit.

Tutje, ai foli edhe për atë se çka, sipas tij, u tha për lirinë e shprehjes në Raportin e Progresit, duke thënë se Kosova në këtë pikë e ka marrë goditjen më të madhe ndonjëherë.

“Te liria e shprehjes, që kam përshtypjen e kemi marrë goditjen më të madhe ndonjëherë thotë se edhe pse Kosova ka një mjedis pluralist, ndikimi i qeverisë mbetet shqetësues. Edhe pse rregullimin e mediave, thotë, e miratuan, por kuvendi i injoroi tërësisht rekomandimet nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë duke aprovuar ligje që mund të kufizojnë pavarësinë e tyre”.

“Për transmetuesin publik thotë se po përballet me paqëndrueshmëri të madhe. Me dorëheqjet e fundit të menaxhmentit të lartë dhe anëtarëve të bordit, pavarësia editoriale është kompromentuar aq shumë dhe shqetësimet për mungesën e mbrojtjes nga presioni qeveritar vazhdojnë fuqishëm”, tha ai.