Në mungesë të biokimistëve, analizat i lexojnë infermierët
Në sistemin shëndetësor të Kosovës vazhdon një krizë, e cila kërcënon cilësinë e kujdesit që u ofrohet pacientëve.
Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri dhe ai në Ferizaj kanë rreth tre vjet që funksionojnë pa biokimistë.
Për pasojë, analizat laboratorike, të cilat janë kritike për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, lexohen nga stafi i infermierëve dhe teknikëve - gjë që ngre shqetësime për saktësinë dhe besueshmërinë e tyre.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) - i cili mbikëqyr spitalet rajonale - thotë se ka shpallur disa konkurse për specialistë të biokimisë, por se interesimi i tyre mbetet i ulët.
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë nuk kalojnë nëpër ndonjë procedurë licencimi - kur themelohen, ato sigurohen se i plotësojnë kriteret me staf dhe pajisje, për të funksionuar si të tilla.
Spitali i Vushtrrisë pa biokimist nga viti 2022
Në Vushtrri, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm, Shefkije Shatri, thotë se mungesa e biokimistit e vështirëson mbarëvajtjen e punëve.
“Deri në vitin 2022 i kemi pasur dy biokimistë. Nga ajo kohë nuk kemi. Janë hapur konkurse, por ende nuk ka”, thotë ajo.
Në mungesë të tyre, Shatri thotë se rezultatet e analizave në këtë spital i kontrollon shefi kryesor i laboratorit, i cili, siç thotë, “është infermier me përvojë 20-vjeçare”.
“Unë nuk e di a ka të drejtë t’i lexojë analizat ai, sepse nuk jam e thirrur për këtë, por mund të them se ne vuajmë për një biokimist që nuk e kemi”, thotë Shatri.
Ajo tregon se, viteve të fundit, janë shpallur disa konkurse për pozitën e biokimistit, por se “nuk ka pasur të interesuar”.
“Ata po joshen më shumë nga sistemi privat”, sipas saj.
Në spitalin që udhëheq Shatri në Vushtrri - komunë me rreth 61.000 banorë - bëhen më shumë se njëqind analiza brenda ditës.
Kushtet e punës në laboratorin kryesor, sipas stafit, janë të mira dhe aparatura është e re.
Spitali i Ferizajt pa biokimist për më shumë se tre vjet
Situatë pothuajse identike është edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt - komunë me rreth 105.000 banorë.
Për më shumë se tre vjet, ky spital funksionon pa biokimist.
“Diku nga viti 2020/2021, spitali është pa biokimist”, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të spitalit, Fikret Arifi.
“Para disa ditësh kanë ardhur punëtorë të rinj - në mesin e tyre edhe biokimistja, e cila tash ka shkuar në pushim të lehonisë. Tani, në proces të rekrutimit kemi edhe një biokimist tjetër”, shton Arifi.
Ai tregon se ka autorizuar një mjek internist-reumatolog, i cili monitoron punën në laborator, porse, sërish, punën kryesore rreth analizave e bëjnë laborantët.
Sipas statistikave të spitalit, shërbime për analiza aty kërkojnë mbi dy mijë pacientë në muaj.
Mungesa edhe në Spitalin e Mitrovicës së Jugut
Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut punon vetëm një biokimiste - jashtë orarit të saj, analizat i lexon stafi ndihmues.
Drejtori mjekësor, Gëzim Berisha, thotë se spitali ka nevojë për më shumë biokimistë, pasi aty kryhen mbi 200 analiza në ditë.
“Ne në konkursin e fundit kemi kërkuar edhe një biokimist shtesë, por nuk ka aplikuar askush”, thotë ai.
“Kur biokimistja nuk është në punë, analizat i lexojmë bashkë me laborantë, e shpesh edhe me doktoreshën, edhe pse është jashtë orarit të punës”, thotë Berisha.
Biokimistja e vetme në spitalin e Mitrovicës së Jugut, mjekja Leonora Hamiti Blakçori, duke vulosur rezultatin e analizave.
Rëndësia e biokimistëve
Profesionistët shëndetësorë thonë se puna e biokimistëve është thelbësore për trajtimet mjekësore, si dhe për përmirësimin e metodave të diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve.
Profesoresha Valdete Topçiu-Shufta, specialiste e biokimisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm laboratorët në spitale, por edhe ata në shtëpi të shëndetit duhet të kenë së paku një biokimist të specializuar, i cili i bën valide analizat e bëra - përndryshe ka rrezik që leximi i tyre të mos jetë i saktë.
“Rezultati duhet të kontrollohet nga dora e mjekut, e specialistit, përpara se të lëshohet. [E nëse nuk ka biokimist], kjo çështje i takon Ministrisë [së Shëndetësisë] që ta rregullojë”, thotë Topçiu-Shufta.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se çdo spital i përgjithshëm apo special, është i obliguar ta ketë laboratorin biokimik-hematologjik, e bashkë me të edhe profesionistin e lëmit shëndetësor.
Për rastet konkrete në Ferizaj e Vushtrri, nuk japin komente.
Në SHSKUK thonë se ky institucion ka shpallur disa herë konkurse për pranimin e mjekëve specialistë - në mesin e tyre edhe biokimistë.
“Në disa spitale janë plotësuar këto pozita, përderisa në rastet e tjera nuk ka pasur të interesuar”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Drejtorisë së SHSKUK-së, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Aty theksohet, po ashtu, se në kuadër të planit të tyre për shërbimet e biokimisë, gjatë vitit të ardhshëm, parashihet të ketë riorganizim në të gjithë laboratorët që menaxhohen nga SHSKUK-ja.
Rreth 20 specializantë të biokimisë janë duke kryer shkollimin në këtë lëmi dhe, vitin ardhshëm, pritet të shërbejnë edhe në institucione publike, sipas SHSKUK-së.
Por, kjo mungesë nuk është e izoluar vetëm te biokimistët.
Institucionet publike të kujdesit shëndetësor në Kosovë përballen me mungesa të specialistëve edhe në fusha të tjera kritike, e veçanërisht anesteziologë.
A janë të gatshëm mjekët nga diaspora të punojnë në Kosovë?
Krizë për anesteziologë dhe infermierë
Paga mesatare e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro.
Klinikat private me paga më të larta dhe kushte më të mira të punës janë shpesh opsion më tërheqës për specialistët shëndetësorë. /REL