Raporti i Progresit: Mosmarrëveshjet edhe brenda mazhorancës e penguan Kuvendin, Qeveria refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare
Foto: Laura Hasani

Raporti i Progresit: Mosmarrëveshjet edhe brenda mazhorancës e penguan Kuvendin, Qeveria refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare

Aktuale October 31, 2024 - 10:00

Raporti i sivjetmë i Progresit thotë se Kuvendi i Kosovës përballet me “një sërë sfidash” në ushtrimin e kompetencave të tij, ndonëse pushteti e ka konsideruar këtë si legjislaturën më të suksesshme ndonjëherë.

Raporti i Komisionit Evropian që iu dorëzua të mërkurën krerëve të shtetit, përmend mungesën e bashkëpunimit të mazhorancës me opozitën, por edhe brenda vetë mazhorancës.

“Qeveria ende mban një shumicë solide në Kuvend, por mosmarrëveshjet dhe mungesa e bashkëpunimit brenda mazhorancës dhe me partitë opozitare penguan aftësinë e Kuvendit për ta miratuar legjislacionin, për të emëruar anëtarë të organeve publike dhe për të ofruar mbikëqyrje efektive”, thuhet ndër të tjera në raport.

Aty përmendet se “anëtarët e Listës Serbe bojkotuan punën e Kuvendit gjatë periudhës raportuese”, ndërsa jepen edhe rekomandimet.

“Forcimi i ndërtimit të konsensusit, transparencës dhe mbikëqyrjes mund ta përmirësojë performancën e Kuvendit dhe të ndihmojë në krijimin e një procesi legjislativ më të qëndrueshëm dhe efikas. Kuvendi duhet ta përmirësojë menaxhimin e brendshëm, t’i miratojë planet e punës dhe të prezantojë një sistem elektronik të votimit dhe regjistrimit të pranisë”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Kuvendi u përpoq ta ruante kuorumin e vendimmarrjes, thotë raporti, ndërsa shton se kjo rezultoi me “vonesa të konsiderueshme”.

“Disa ligje dhe një duzinë marrëveshjesh ndërkombëtare po barten nga një seancë në tjetrën. Shumica zgjodhi shpesh seanca të jashtëzakonshme dhe procedura të shpejta për ta miratuar legjislacionin kryesor”, thuhet në raport.

Raporti i Progresit thotë se “Kuvendi ka shpërfillur afatet procedurale për miratimin e 18 ligjeve dhe ka humbur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese për rishikimin e ligjeve”.

Aty përmendet edhe “refuzimi i qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare”.

“Refuzimi i qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare e dobësoi ndjeshëm rolin mbikëqyrës të Kuvendit. Kuvendi ka mbetur i ngadalshëm në shqyrtimin e raporteve vjetore të agjencive të pavarura; një duzinë prej tyre janë nën shqyrtim që nga viti 2022. Kjo pengoi aftësinë e Kuvendit për t’i mbajtur agjencitë përgjegjëse dhe për të vlerësuar performancën e tyre. Me nismën e opozitës, Kuvendi ngriti disa komisione hetimore parlamentare. Megjithatë, Kuvendi nuk ishte në gjendje t’i përdorte ato në mënyrë efektive”, thuhet më tej në raport.

Raporti i Progresit kërkon të ndërtohet konsensusi dhe transparenca brenda institucionit më të lartë legjislativ të vendit.“Forcimi i ndërtimit të konsensusit, transparencës dhe mbikëqyrjes mund ta përmirësojë performancën e Kuvendit dhe të ndihmojë në krijimin e një procesi legjislativ më të qëndrueshëm dhe efikas”, thuhet në raport.

Kuvendit, përgjithësisht, i kërkohet që “ta përmirësojë menaxhimin e brendshëm”.