Opozita kritikon Qeverinë për gjetjet e Raporti të Progresit: Është shqetësues e alarmues, ka regres
Komisioni Evropian publikoi të mërkurën raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Raporti vjetor për Kosovës në vlerësuar nga pushteti e kritikuar nga opozita.
Kryeministri Kurti tha se sipas Raportit të BE-së, Kosova s’ka pasur ecje mbrapa, por pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres.
“Në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri mirëpriti rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.
“Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progres të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”.
Por kritika për gjetjet e këtij raporti ka pasur nga opozita.
Ndër të parët që ka reaguar ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ka thënë se mesazhet që dalin nga ky raport tregojnë se Kosova është duke u keqqeverisur e duke ngecur në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi!
“Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: Kosova mbetet nën sanksione! Kosova është duke u keq-qeverisur! Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres. Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, raporti është shqetësues dhe alarmues.
“Fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit. Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve. Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie. Qytetarët tanë, shteti ynë, meritojnë më mirë dhe më shumë. Meritojnë një Qeveri të përgjegjshme, e cila do ta rikthej Kosovën në drejtimin e duhur. Tjetër alternativë nuk ka!”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar me gjetjet e raportit. Kjo parti opozitare ka vlerësuar se raporti për Kosovën nënvizon sfidat e vazhdueshme në Kosovë.
Sipas kësaj partie, raporti thekson nevojën urgjente për ndryshim.
“Raporti i Progresit për vitin 2024 nga Komisioni Evropian i publikuar sot, nënvizon sfidat e vazhdueshme në Kosovë, por mbi të gjitha, thekson nevojën urgjente për ndryshim. Raporti gjithashtu e thekson qartë situatën ekonomike në Kosovë—“ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me vitet e mëparshme”. LDK është e përkushtuar dhe do të punoj fort për të rikthyer pavarësinë e mediave dhe për të mbrojtur institucionet demokratike nga ndërhyrjet politike. Ne do të reformojmë gjyqësorin për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri, si dhe do të luftojmë korrupsionin me vendosmëri”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Kjo parti ka vlerësuar se Kosova meriton qeverisje më të mirë.
“Ndërsa këto janë rezultatet e paaftësisë së qeverisë aktuale; fokusi ynë do të jetë në krijimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive të reja në vend, në mënyrë që kosovarët të mos detyrohen të largohen. Kosova meriton një qeveri që i përmbush premtimet e saj. LDK do të udhëheqë pastër dhe me integritet. Është koha për ndryshim të vërtetë, tani!”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, Kosova ka bërë përparim të kufizuar në lirinë e mediave, duke treguar një nivel të përgjithshëm të përgatitjes.
Raporti i cili u publikua të mërkurën, thekson se janë evidentuar disa përmirësime, veçanërisht në aksesin ndaj dokumenteve publike, ka pasur gjithashtu zhvillime që janë perceptuar si përpjekje të Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat.
“Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka bërë përparim të kufizuar. Disa përmirësime u bënë në lirinë e mediave, duke përfshirë aksesin në dokumente publike. Megjithatë, kjo u shoqërua me zhvillime të perceptuara si përpjekje të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median”, thuhet në raport.
Aty theksohet se edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur e tensionuar, edhe pse ka pasur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Aty thuhet, po ashtu, se Qeveria duhet të punojë për të krijuar mbështetje politike ndërpartiake për t’i ndjekur në mënyrë më efektive reformat që lidhen me BE-në.