KS i OKB-së po diskuton për Kosovën

KS i OKB-së po diskuton për Kosovën

Aktuale October 30, 2024 - 16:35

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për Kosovën, përkatësisht për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë.

Shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Zijadeh tha se që nga sulmi në Banjskë vazhdon të bëjë thirrje për llogaridhënie të kryerësve të këtij akti përmes një hetimi të thellë e proces gjyqësor të plotë. “Ato janë esenciale për stabilitetin. Një akt i tillë i dhunës është i papërsëritshëm dhe mund të përsëritet më. Në këtë drejtim seanca fillestare gjyqësore është mbajtur më 9 tetor kundër tre të pandehurve nga totali prej 45 të akuzuarve në aktakuzë“, ka theksuar Zijadeh gjatë raportimit në KS të OKB-së.

Ajo tutje ka thënë se në takimet me zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë dhe me partnerët ndërkombëtar shihet një aspiratë për një dialog konstruktiv dhe marrëdhënie paqësore, por se sipas saj situata anë terren mbetet e brishtë dhe progresi mbetet vetëm tentativë.

“Gjatë vizitës sime të fundit në veri në shtator, organizatat e shoqërisë civile, palë politike dhe banorët aty kanë theksuar shqetësime serioze për sa i përket ndikimit të veprimeve të njëanshme që prekin të drejtat ekonomike dhe sociale. Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime kyçe, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë“, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq ka vazhduar me propagandën e autoriteteve të Serbisë, duke thënë se situata në Kosovë është përkeqësuar në mënyrë dramatike, e cila, sipas tij, ka krijuar një klimë mosbesimi dhe frike.

Ai ka kërkuar veprim të shpejtë dhe të vendosur të OKB-së, teksa ka thënë se me kthimin e Kurtit në pushtet ka filluar margjinalizimi i popullatës serbe, duke përmendur 90 sulme ndaj serbëve në Kosovë, por pa ofruar fakte.

Ai ka fajësuar autoritetet e Kosovës se po refuzojnë të hedhin hapa para për formimin e Asociacionit.