Për t’u marrë shembull, rrugët e fshatit të Suharekës po ndriçohen me energji efiçiente

Për t’u marrë shembull, rrugët e fshatit të Suharekës po ndriçohen me energji efiçiente

Aktuale October 30, 2024 - 15:40

Rrugët do të ndriçohen, qytetarët do të përfitojnë dhe energjia elektrike do të ruhet, falë projektit i cili është duke u zbatuar në fshatin Gelancë të komunës së Suharekës.

Banorët e fshatit Gelancë së shpejti do të përfitojnë për herë të parë ndriçim të rrugëve publike.

Ky projekt inovativ, i cili synon përmirësimin e efiçencës së energjisë, është në fazën përfundimtare të zbatimit dhe përfshin instalimin e rreth 210 ndriçuesve inteligjentë.

Këta ndriçues ofrojnë pesë nivele të ndryshme ndriçimi, duke kursyer energjinë dhe përshtatur nivelin e dritës për të siguruar një mjedis më të sigurt për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.

Ky investim po zbatohet nga komuna e Suharekës, në kuadër të projektit "Rruga drejt përdorimit efiçient të burimeve natyrore lokale".

Projekti është financuar nga Programi Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë i Instrumentit të Paraaderimit IPA II të Bashkimit Evropian.

Përmes ndriçimit publik, programi synon rritjen e kapaciteteve të stafeve të Komunës dhe pjesëmarrësve të tjerë vendorë për të bashkëpunuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Suharekën.

“Projekti është zbatuar në bashkëpunim me Komuna Suharekë, Akademinë e Studimeve Politike dhe Bashkinë Kurbin”.

“Ky hap i rëndësishëm drejt efiçiencës së energjisë dhe përmirësimit të infrastrukturës publike është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkufitar dhe angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim. /Zëri