Hamiti reagon ndaj Ambasadës së Kosovës në Vjenë, pasi i thirri mërgimtarët në tubimin elektoral Kurti - Gërvalla
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj Ambasadës së Kosovës në Vjenë, e cila ka bërë një njoftim për një tubim elektoral të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Donika Gërvalla.
Hamiti ka pyetur për përshkrimin që Ambasada ka vendosur për këtë takim, duke e cilësuar si “takim të veçantë”, duke thënë se a nënkupton që ky takim do të bëhet me përkrahës të LVV-së dhe Guxo në parafushatë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka shkruar se nëse do të ishte një takim i tillë për fushatë paralektorale, do të duhej të njoftonte Lëvizja Vetëvendosje, siç bëjnë normalisht të gjitha partitë kur aranzhojnë takime në diasporë.
Reagimi i plotë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri i paska ftuar bashkatdhetarët për “një takim të veçantë” me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla Schwarz, ditën e diel, më 3 nëntor 2024, në Vjenë.
Çka do të thotë “takim i veçantë” në këtë rast? Takim me përkrahësit e Vetëvendosjes (VV+Guxo) në kuadër të parafushatës elektorale për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit në Kosovë?
Nëse po, takimin e tillë do të duhej ta njoftonte Vetëvendosje, siç bëjnë partitë politike normalisht kur shkojnë drejtuesit e tyre në tubime politike me përkrahës në diasporë.
Nëse jo, natyra e “takimit të veçantë” do të mund të specifikohej.