Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për futjen e mallrave serbe në Kosovë
Foto: Facebook

Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për futjen e mallrave serbe në Kosovë

Aktuale October 30, 2024 - 12:35

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ku tha se kanë diskutuar mbi masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që futen nga Serbia, në pikën kufitare të Merdarit.

Ai ka shkruar në Facebook se ky vendim po zbatohet me përkushtim, me qëllim të sigurisë së vendit “dhe në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve X”.

Sveçla njoftoi se kanë folur edhe për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit.

“Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi. Biseduam po ashtu për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdar. Zyrtarët tanë shtetërorë po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve X, që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare. Falënderova Sarrazinin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme.

Me qëllim që Kosova të merrte pjesë në takimet e CEFTA-s e të Procesit të Berlinit, institucionet e Kosovës kanë vendosur javë më parë të lejohet futja e mallrave serbe nëpërmjet pikës kufitare të Merdarit.