Kurti: Marrëveshja Bazike, kryefjala e raporteve të Kosovës dhe Serbisë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Marrëveshja Bazike në kuadër të procesit të dialogut është kryefjala e raporteve Kosovë - Serbi.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se Serbia këtë nuk e dëshiron, sipas tij, në qendër e ka Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Po e theksoj që kam ofruar ta shkruaj draftstatutin në mars të vitit të kaluar nuk u pranua, me 27 shkurt të vitit 2023 ofrova ta nënshkruar marrëveshjen bazike nuk pranoi pala tjetër që e pranoi marrëveshjen”.
“Më 18 mars të vitit 2023 ofrova të nënshkruajmë bashkë me aneksin e zbatimit e refuzoi pala tjetër, më 26 tetor në Bruksel ofrova ta nënshkruajmë një paket në emër të urgjencës kur agresioni rus ishte intensifikuar në Ukrainë e kishte krisur lufta në Lindjen e Mesme, prapë ofrova ta nënshkruajmë prapë u refuzova”.
“Unë kërkoj ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike pa e nënshkruar marrëveshjen bazike me aneks të zbatimit, pa e dorëzuar Milan Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës dhe pa e tërhequr atë letrën e Bërnabiq, nuk di çfarë draftstatutesh mund të shkruajë ndokush jo unë, ne kemi nevojë mirëbesim midis palëve, vullnet dhe mirëbesim. Beogradi dëshiron prioritet të ketë draftstatutin për Asociacionin, ne themi jo ne duam Marrëveshjen Bazike që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë de fakto. Marrëveshja bazike është kryefjala e raporteve të Kosovës dhe Serbisë, mandej vijnë të tjerat”, tha Kurti.