Gjykata vendos ndaj ish-kryetarit të LDK-së– Dega në Drenas, Bedri Nikës dhe nipit të tij të akuzuar për shpëlarje parash

Gjykata vendos ndaj ish-kryetarit të LDK-së– Dega në Drenas, Bedri Nikës dhe nipit të tij të akuzuar për shpëlarje parash

Aktuale October 28, 2024 - 16:27

Bedri Nika, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Drenas dhe Albian Nika, të akuzuar për shpëlarje të parave janë shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Gjykata e Prishtinës më 28.10.2024 ka marrë vendim për herën e dytë ndaj dy të akuzuarve.

Ndaj të njëjtëve do të mbahet seancë e veçantë për caktimin e dënimit më datë 04.11.2024.

Bedri Nika akuzohet edhe për veprën penale blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale por që prokuroria në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për këtë vepër penale pasi veprimet inkriminuese të kësaj vepre hyjnë në veprën e shpëlarje së parave.

Andaj ndaj të pandehurit Bedri Nika për veprën penale blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale gjykata sot bëri të ditur se refuzohet akuza.

Në rigjykim të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë.

Shkalla e parë Bedri Nikën për pastrim të parave e kishte dënuar me 1 vit dënim me burgim dhe 15 mijë euro dënim me gjobë ndërsa Albian Nikën e kishte dënuar për të njëjtën vepër me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Rastin në pikën zero ishte kthyer nga Gjykata Supreme.

Në fjalën përfundimtare, prokurori special, Milot Krasniqi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e mëhershëm, duke shtuar se për veprën penale – blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale për të akuzuarin Bedri Nika tërhiqet nga akuza pasi veprimet e kësaj vepre konsumohen në veprën penale të shpëlarjes së parave për të cilën ngarkohet nga Prokuroria.

Avokati Granit Hadërgjonaj, që mbron Bedri Nikën, në fjalën përfundimtare kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij, duke shtuar se aktakuza nuk i përmbush elementet bazë.

Ndërsa avokati Përparim Haliti, që mbron të akuzuarin Albian Nika, tha se nuk ka prova që i mbrojturi i tij të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke kërkuar nga trupi gjykues që të shpallë aktgjykim lirues.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO, i pandehuri Bedri Nika në intervalin kohor 21 shkurt 2021 e deri më 11 mars 2021, në vend të panjohur, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht ka siguruar para të gatshme dhe atë 118 bankënota në vlerë 50 euro, nga një burim i panjohur.

Në aktakuzë thuhet se më pas të njëjtat para janë prekur nga një reagjent kimik dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit Albian Nika dhe vajzës së tij, me udhëzimin dhe kërkesën për t’i deponuar në disa raste të ndara në llogarinë e tyre bankare në bankën NLB në Drenas.

Në aktakuzë thuhet se këto bankënota janë vënë në qarkullim si para standarde, duke qenë në dijeni se të njëjtat janë përfituar nga aktivitete kriminale.

Ndërsa në pikën dy të dispozitivit të aktakuzës, Bedri Nika dhe Albian Nika po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale  – pastrim i parave.

Sipas aktakuzës, në datat e lartcekura, Bedri Nika ia jep nipit të tij Albian Nikës dhe vajzës së tij udhëzimin dhe kërkesën që të njëjtat përmes llogarive të tyre bankare në bankën NLB t’i deponojnë përmes bankomateve (ATM) e më pas duke shfrytëzuar bankomatët e tjerë të të njëjtës bankë t’i tërheqë në para të gatshme.

Pas këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, i pandehuri Albian Nika, menjëherë i ka tërhequr paratë nga bankomatet tërheqëse në shumën e njëjtë dhe të njëjtat ia ka dorëzuar të pandehurit Bedri Nika.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i njëjti ka provuar që ta mashtrojë bankën dhe të maskojë origjinën e vërtetë të parave, duke i shkaktuar dëm bankës NLB në Drenas, me vlerën e parave të deponuara dhe tërhequra.