Kthehet në Shqipëri anija me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme
Foto: AFP

Kthehet në Shqipëri anija me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme

Aktuale October 28, 2024 - 16:11

Të hënën në Shqipëri ka arritur një anije me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme.

Kontejnerët me ngarkesë rreth 800 tonë dyshohet se ishin nisur tre muaj më parë drejt Tajlandës.

Çështjen e këtyre kontejnerëve e ka ngritur fillimisht Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), që gëzon ekspertizë në fushën e drejtësisë mjedisore.

Ajo pati thënë më 5 gusht se ka dyshime për transportim të mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës.

Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke 'Kurum International', në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit, bashkë me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), i kanë nisur hetimet.

Në shkresën e nisur nga Prokuroria drejt disa institucioneve për zbatim të ligjit, është kërkuar që të zbatohet urdhri për sekuestrim dhe që mbetjet të depozitohen në një vend të sigurt.

“Është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerët që janë duke u transportuar në Shqipëri me anijen 'Moliva'. Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt”, është thënë në shkresën e Prokurorisë së Durrësit.

Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm aludime.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.

"Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë, dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku janë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, është thënë në reagimin e Qeverisë në shtator, duke pretenduar se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët, pa përmendur specifikisht dikë me emër.

Opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania "Kurum International" ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania "Sokolaj" ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme. /REL