Problemi me imigrantët në Evropë – a do të pranojë Kosova sikurse Shqipëria strehimin e tyre nëse i kërkohet nga BE-ja?

Problemi me imigrantët në Evropë – a do të pranojë Kosova sikurse Shqipëria strehimin e tyre nëse i kërkohet nga BE-ja?

Aktuale October 27, 2024 - 17:02

“Wir schaffen das”, apo “Ne mund ta bëjmë këtë” – ishte refren i vazhdueshëm i Angela Merkelit në vitin 2015, atëkohë kancelare e Gjermanisë. Me të, shprehte vendosmërinë e saj për t’iu hapur dyert imigrantëve – shumë prej të cilëve iknin nga lufta në Siri, e të tjerët nga Afrika e Veriut, Iraku e Afganistani.

Më 2015 dhe 2016, mbi 1.2 milion njerëz aplikuan për azil në Gjermani dhe rreth 800.000 në pjesë të tjera të Evropës, duke shënuar kështu lëvizjen më të madhe të popullsisë në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një studim i publikuar në korrik nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik gjeti se shkalla e punësimit të imigrantëve në Gjermani në vitin 2022 ishte 70% – dukshëm më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të BE-së.

Me rritjen e së djathtës ekstreme ndër vite dhe pas disa sulmeve të kryera nga imigrantë të dyshuar, Gjermania sot ka ligje më të ashpra për azilin dhe kontrolle në të nëntë kufijtë e saj tokësorë.

Në margjina të një samiti të BE-së, javën e kaluar, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Qeveria e tij është duke luftuar me sukses imigracionin e paligjshëm.

“Në muajt e fundit, Gjermania kishte gati 50% më pak kërkesa për azil, krahasuar me një vit më parë, dhe dëbimet vazhduan gjithashtu”, tha Scholz.

Gjermania s’është e vetmja. Kontrolle në kufij vendosën edhe shtete të tjera, si Austria, Franca, Danimarka, Sllovenia etj., edhe pse bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Si arsye, shumë prej tyre përmendën kërcënimet terroriste dhe sistemet e mbingarkuara të azilit. Polonia, në anën tjetër, paralajmëroi se do ta pezullojë përkohësisht të drejtën për azil, pasi Finlanda më herët mbylli të gjithë kufirin me Rusinë, për shkak të azilkërkuesve.

Italia, ndërkohë, zgjodhi edhe një rrugë tjetër, duke hapur dy qendra imigrantësh në Shëngjin dhe në Gjadër të Shqipërisë, në të cilat planifikon të mbajë burra që kapen në ujërat ndërkombëtare, derisa përpiqen të kalojnë nga Afrika në Evropë.

Atje do të përpunohen vetëm aplikacionet e njerëzve nga vendet që Italia i konsideron të sigurta – në total 21 syresh. Ndaj, shumica pritet të refuzohen – ata që pranohen, çohen në Itali, të tjerët riatdhesohen.

Kështu kërkon marrëveshja që kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nga e djathta ekstreme, bëri me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, vitin e kaluar.

Grupi i parë prej 16 imigrantësh arriti në Shqipëri më 16 tetor, por vetëm pas pak ditësh ata u dërguan në Itali, pasi Gjykata e Romës konstatoi se vendet prej nga vinin – Egjipti dhe Bangladeshi – nuk mund të konsideroheshin të sigurta.

Në përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen me Shqipërinë, Qeveria italiane e ngriti statusin ligjor të listës së vendeve të sigurta – nga dekret ministror në akt ligjor.

Vendimi i Gjykatës së Romës, megjithatë, hedh dyshime mbi realizimin dhe ligjshmërinë e planeve që edhe BE-ja po i diskuton, për ndalimin e imigrantëve në qendra jashtë bllokut.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “duhet nxjerrë mësime nga protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë”.

“Shkalla e kthimit të imigrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20% – që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që urdhërohen të largohen nga një shtet anëtar i BE-së, nuk e bëjnë këtë”, shkroi von der Leyen në një letër dërguar vendeve anëtare.

Në kontekstin e planeve të BE-së për t’i dërguar imigrantët përtej kufijve, Ravenna Sohst, nga Instituti i Politikave të Migracionit në Evropë, flet për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor:

“Ballkani Perëndimor është një grup vendesh interesante, sepse ato janë afër Bashkimit Evropian. Disa shtete anëtare kanë marrëdhënie shumë të ngushta me to. Italia e Shqipëria janë një shembull, por edhe Gjermania është e lidhur me shumë prej tyre”.

“E, përveç kësaj, shtetet e këtij rajoni vijnë në mendje edhe për shkak të aspiratave të tyre për anëtarësim në BE”, thotë Sohst.

Duke ndihmuar Italinë, Qeveria në Tiranë siguron mbështetjen e saj në procesin e integrimit në BE. Sohst thotë se në këtë mënyrë mund të joshen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Kosovës, janë të gjitha kandidate për anëtarësim në bllok.

Eleonora Milazzo, nga Qendra e Politikave të Migracionit e Institutit Universitar Evropian, thotë se bashkëpunimi i jashtëm efektiv për menaxhimin e migracionit, kërkon përfitime të balancuara dhe gjithëpërfshirëse si për BE-në, ashtu edhe për vendet e përfshira partnere.

E pyetur nëse Ballkani Perëndimor mund të bëhet adresë për imigrantët që synojnë BE-në, Milazzo thotë:

“Tash për tash, mund të them se ka një interes të madh dhe thirrje të fuqishme për të eksploruar opsionin e ndalimit të imigrantëve dhe të përpunimit të kërkesave për azil në qendra të pritjes ose të dëbimit në vende të huaja. Kemi parë disa propozime të tilla edhe në ditët e fundit dhe rezultat i takimit të 27 liderëve të BE-së, javën e kaluar, ishte shtrëngimi i politikës së dëbimit”.

Në një adresim për gazetarët, javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka marrë ndonjë kërkesë për pranimin e imigrantëve, ashtu siç ka bërë Shqipëria.

“Ne kemi pranuar refugjatë nga Afganistani, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara. Kur SHBA-ja kërkon diçka prej nesh, ne nuk e vëmë në pikëpyetje, por kërkesa të tilla nga pala evropiane nuk kemi pasur”, tha Kurti.

Kosova pranoi disa valë afganësh nga viti 2021, kur talibanët morën pushtetin në vendin e tyre.

Në maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ratifikoimarrëveshjen për t’i lëshuar me qira Danimarkës një burg në qytetin e Gjilanit. Shteti danez pritet të sjellë aty rreth 300 të dënuar prej tij.

Aktualisht, burgu është në fazën e adaptimit sipas kërkesave të Danimarkës dhe më pas pritet transferimi i të burgosurve. Pasi ata ta vuajnë dënimin, do të deportohen.

Kjo marrëveshje u nënshkrua qysh në vitin 2022 dhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës atëkohë, Nick Haekkerup, la të kuptohej se të burgosurit që do të dërgohen në Kosovë, nuk do të jenë shtetas të Danimarkës apo të vendeve të tjera të BE-së.

“Me këtë marrëveshje, Danimarka dërgon një sinjal të qartë për të huajt nga vendet e palëve të treta që janë dënuar me dëbim: e ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu”, tha Haekkerup.

Qeveria e Kosovës është pyetur se si do të procedonte nëse BE-ja ose ndonjë vend i saj anëtar do t’i kërkonte të strehonte imigrantë të tjerë, ngjashëm si Shqipërisë, por zëdhënësi Përparim Kryeziu konfirmoi se “një kërkesë e tillë nuk ka ardhur”.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh kategorikisht kundër në një takim që zhvilloi këtë javë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe me kryeministrin sllovak, Robert Fico, në Komarno të Sllovakisë.

“Nuk më shkon mendja dhe nuk do të pranoja në asnjë rrethanë që Serbia të bëhej vatër e nxehtë. Nuk ka dredhi dhe lojëra të tilla. Miqtë e mi nuk kërkuan, as dikush tjetër nuk mund të kërkojë, sepse nuk mendoj ta diskutoj fare”, tha Vuçiq.

Gjatë krizës së vitit 2015, por edhe në vitet e mëvonshme, Serbia dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, u shfrytëzuan si rrugë transite nga imigrantët për të hyrë në vendet e BE-së.

Në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, e cila është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, thonë se menaxhimi i migrimit është një prerogativë sovrane e shteteve dhe duhet të jetë në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe rajonal.

“Marrëveshjet jashtëterritoriale, në përgjithësi, mund të paraqesin sfida ligjore, etike dhe operacionale. Ne besojmë se bashkëpunimi midis shteteve për migrimin dhe azilin duhet të mbështetet në standardet më të larta të mbrojtjes dhe dinjitetit, sidomos për njerëzit në situatat më të cenueshme”, thotë zëdhënësi Ryan Schroeder.

Milazzo, nga Qendra e Politikave të Migracionit me seli në Firence, thotë se është e vështirë të vlerësohet efektiviteti i veprimeve të vendeve të BE-së, por thekson rëndësinë e solidaritetit dhe të ndarjes së përgjegjësive.

Ngjashëm sugjeron edhe Sohst, nga instituti me qendër në Bruksel. Sipas saj, politika e imigracionit nuk ka të bëjë vetëm me reduktimin e ardhjeve të reja.

“Politika e imigracionit është shumë më e madhe. Ka të bëjë me atë se si t’i mbrojmë njerëzit në nevojë sa më shumë; si t’u përgjigjemi tregjeve të punës që kanë nevojë për punëtorë të rinj; si t’u përgjigjemi ndryshimeve demografike. Të gjitha këto janë çështje vërtet të rëndësishme me të cilat duhet të merret politika e imigracionit”, thotë Sohst.

Sipas Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex, numri i kalimeve të parregullta kufitare në BE, në shtatë muajt e parë të këtij viti, ra për 36%, përkatësisht në 113.400, krahasuar me vitin 2023.

Për kritikët, politika e dyerve të hapura e Merkelit ishte “marrëzi”. “Fjalët e saj nuk mund të tërhiqen. Ajo e ka përkeqësuar një problem që do të jetë me ne me vite, e ndoshta edhe me dekada”, shkroi gazeta britanike, The Spectator.

Për mbështetësit, qasja e saj është një dëshmi e përkushtimit të Gjermanisë ndaj vlerave humanitare.

E, balancimi i të dyja këtyre qëndrimeve duket se do të jetë një e bëmë vërtet magjike e kohës sonë, raporton REL.