Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar
Foto: Laura Hasani

Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar

Aktuale October 27, 2024 - 13:30

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një postim në rrjetin social të tij në Facebook, ka shkruajtur se nga janari i vitit 2025 Qeveria do t’i trefishojë tatimin mbi prona sipas tij duke vendosur një barrë të re mbi shpatullat e bizneseve kosovare,

Ai tha se ligji i ri për tatimin në pronë sjell rritje të konsiderueshme për pronat komerciale dhe ato bujqësore duke kërcënuar rëndë sektorin privat.

Gërxhaliu tha për tatimin në pronat komerciale sipas tij pritet të rritet deri në 200%, kjo rritje sipas tij e pa precedentë që do të krijojë vështirësi të mëdha për shumë qytetar dhe biznese.

Postimi i plotë:

Duke filluar nga janari 2025, Qeveria e Kosovës do të trefishojë tatimin mbi pronat, duke vendosur kështu një barrë të re mbi shpatullat e bizneseve kosovare. Ligji i ri për tatimin në pronë sjell rritje të konsiderueshme për pronat komerciale dhe ato bujqësore, duke kërcënuar rëndë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Tatimi për pronat komerciale pritet të rritet deri në 200%, një rritje e tillë e paprecedentë do të krijojë vështirësi të mëdha për shumë qytetarë dhe biznese.

Kjo rritje e tatimeve për pronat komerciale, e cila shoqërohet me një tatim progresiv që do të jetë më e lartë se sa është aktualisht, që është një goditje e rëndë për të gjitha bizneset në Kosovë. Po ashtu, ligji parashikon tatim mbi tokat bujqësore, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për fermerët, të cilët tashmë po përballen me sfida të shumta.

Normat e reja të tatimit mbi pronat e paluajtshme:

Pronat e vlerësuara deri në 100,000 €: Tatimi do të jetë 0.1%

Pronat e vlerësuara ndërmjet 100,001 - 500,000 €: Tatimi do të jetë 0.2%

Pronat e vlerësuara ndërmjet 500,001 - 1,000,000 €: Tatimi do të jetë 0.3%

Pronat e vlerësuara ndërmjet 1,000,001 - 5,000,000 €: Tatimi do të jetë 0.4%

Pronat e vlerësuara mbi 5,000,000 €: Tatimi do të jetë 0.5%

Një nga efektet më të dukshme do të jetë rënia e kërkesës për prona, pasi tatimet më të larta do të pengojnë blerësit potencialë dhe do të shkaktojnë heshtje në investime. Kjo do të çojë në një ngadalësim të zhvillimeve të reja në sektorin e ndërtimit dhe patundshmërisë, duke u bërë pengesë për ata që investojnë nga diaspora.

Ligji i ri mbi tatimin në pronë pritet të ketë një ndikim negativ në investimet në sektorin e patundshmërisë në Kosovë, me një rënie të mundshme prej deri në 20% vitin e ardhshëm, që do të përkthehet në mbi 100 milion euro më pak investime. Gjatë vitit të fundit, aktivitetet e patundshmërisë në Kosovë kanë arritur rreth 600 milion euro, duke përfaqësuar afërsisht 70% të investimeve të huaja direkte (IHD) në vend, ndërsa investimet totale në Kosovë kanë qenë mbi 880 milion euro. Ky trend i rënies në investime do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe stabilitetin e sektorit të patundshmërisë dhe sektorëve të tjerë.

Po ashtu, fermerët do të përballen me rritjen e kostove operative, duke rrezikuar që të zhdukin fitimet e tyre tashmë minimale. Këto ndryshime do t'i pengojnë ata të përfitojnë nga subvencionet që iu janë ndarë vitin e kaluar, duke e bërë situatën më të vështirë për ta.

Mungesa e dialogut mes qeverisë dhe sektorit privat për këto ndryshime ligjore ka sjellë një situatë kaotike në mjedisin biznesor në Kosovë. Në vend që të stimulohet zhvillimi ekonomik, në po e shohim Kosovën duke u bërë një vend të pafavorshëm për investitorët, si ata vendas ashtu edhe ata të huaj.

Qeveria e Kosovës duhet të rishqyrtojë këtë ligj dhe të angazhohet në një dialog të hapur me përfaqësuesit e sektorit privat për të shmangur goditjet e mëtejshme ndaj biznesit kosovar. Kjo është një mundësi për t'u rikthyer në rrugën e zhvillimit dhe të sigurimit të një ambienti më të favorshëm për investime në të ardhmen.